Gjonaj: Holanda mbështet Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim online me ministrin holandez të Drejtësisë dhe Sigurisë, Ferdinand Grapperhaus dhe ka marrë mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE, duke njohur përpjekjet serioze të qeverisë për zbatimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

“Pata kënaqësinë të zhvilloja një takim online me ministrin holandez të Drejtësisë dhe Sigurisë, Ferdinand Grapperhaus. Me titullarin më të lartë të Drejtësisë dhe Sigurisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulta bashkëbiseduam në veçanti mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi, ku morëm vlerësimet më të mira nga ministri Grapperhaus për hapat e hedhur përpara dhe rëndësinë e vijimit të reformës për shoqërinë shqiptare”, shprehet Gjonaj.

“Gjithashtu i kërkova dhe mora konfirmimin e ministrit Grapperhaus mbi mbështetjen e tij për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE, duke njohur përpjekjet serioze të qeverisë për zbatimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, thekson Gjonaj.

“Jam mirënjohëse për mbështetjen e shprehur dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Holandën, një partner i vyer jo vetëm për drejtësinë dhe integrimin, por edhe për përpjekjet tona në luftën kundër antikorrupsionit”, tha Gjonaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.