Fluturimi i parë më 18 prill/ Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit do të ofrojë çmimet më të ulëta me linjat low cost

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Punimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit janë drejt përfundimit dhe në datën 18 prill ky aeroport do të presë pasagjerët e parë nga Londra që do të ulen në pistën me gjatësi 2 200 metra. Ndërkohë, ky aeroport do të ofrojë çmimet më të ulëta dhe po tërheq linjat low cost.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ”Zayed-Flatrat e Veriut” është aeroporti i dytë civil në Shqipëri. Ai ndodhet 35 km në dalje të qytetit të Kukësit dhe zë një sipërfaqe prej 100 ha, ku në zonën e parkimit është parashikuar  të qëndrojnë 3 aeroplanë njëkohësisht.

Altin Progonaku, drejtor i Përgjthshëm i Aeroportit të Kukësit tha se “ky aeroport i përket Shqipërisë dhe në radhë të parë qytetit të Kukësit dhe stafi kryesor është i gjithi i punësuar nga zona e Kukësit me përjashtim të disa posteve specifike tek të cilat janë punësuar  specialistë të Aviacionit që ndodheshin më parë edhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë”.

Sipas tij, stafi në këtë aeroport është 110 persona. Ky aeroport është një investim i dy kompanive shqiptare që kap vlerën e investimit në mbi 22 milionë euro.Ndërsa është edhe ish emiri i Emirateve të Bashkuara në periudhën e luftës së Kosovës, personi që bëri donacionin për qytetit të Kukësit dhe mundësoi këtë aeroport.

Në terminal ka një sipërfaqe që arrin në 1800 m2 fluturimet e rregullta do të nisin në muajin maj.

Ai tha se, “në aeroport ndodhet zona e sigurisë, skanerave dhe gjithë infrastruktura e nevojshme. Pas kalimit të sigurisë që është një procedurë normale në aeroport vihet tek pjesa e kontrollit të pasaportave dhe dilet në zonën e tranzitit”.

“Në dalje kemi dy porta që janë mëse të mjaftueshme për fluksin e pasagjerëve që pritet në aeroportin e Kuksit”, vijoi Progonaku.

“Destinacionet pritet të jenë Londra, veriu i Italisë si Milano, Roma, pjesa e Skandinavisë ku do funksionojmë me low cost dhe do të jemi konkurrentë të fortë duke përfshirë Tiranën, Prishtinën, Shkupin, Podgoricën, Ohrin, por edhe areportet e gjithë zonës”- tha Progonaku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.