Eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare zgjerohen drejt Kinës

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare zgjerojnë hartën e shtrirjes drejt Kinës.

Videokonferenca e zhvilluar këto ditë online, nën logon “Biznesi Kinë-Shqipëri për Tregtinë Bujqësore” bashkoi përfaqësues nga sektori bujqësor, zyrat doganore, komuniteti i biznesit, dhe media e të dyja vendeve.

Pjesëmarrësit i përshëndeti ambasadori i Republikës së Kinës në Shqipëri Zhou Ding i cili theksoi se, Kina dhe Shqipëria gëzojnë miqësi të kahershme që daton 70 vjet më parë.

“Bazuar në parimin tonë tradicional të miqësisë dhe fitores, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve po thellohet dhe Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë”, u shpreh ai.

“Si ambasador kinez në Shqipëri, unë gjithmonë kam inkurajuar komunitetet e biznesit nga të dy palët të kthejnë sytë nga njëri-tjetri. Ambasada jonë ka punuar me zell në lehtësimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit midis nesh. Ne kemi bërë progres të madh, por ka ende një potencial të madh që duhet të shfrytëzohet, veçanërisht në tregtinë e produkteve bujqësore. Vitin e kaluar, pavarësisht ndikimit të pandemisë, importi i Kinës i produkteve bujqësore dhe ushqimore nga Shqipëria vazhdoi të rritet. Kjo qëndrueshmëri është vota më e mirë e besimit për marrëdhëniet tona tregtare”, vijoi ai.

“Shqipëria është një vend i bekuar me diell të bollshëm, ajër të pastër dhe tokë pjellore. Ka një avantazh natyral për të prodhuar produkte bujqësorë të gjelbërt dhe të shëndetshëm të favorizuar nga konsumatorët kinezë. Jam shumë i lumtur kur mësoj se mjalti shqiptar Morava po fiton popullaritet në Kinë. Unë dëshiroj të shoh më shumë kompani shqiptare të gjejnë mundësitë e tyre të biznesit në Kinë si Morava” u shpreh ambasadori i Republikës së Kinës në Shqipëri, Zhou Ding.

E pranishme në këtë videokonferencë, Frida Krifca, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor e Rural, u shpreh optimiste për eksportin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë.

Krifca tha se, “qëllimi i takimit ishte rritja e ndërveprimit dhe nxitja e bashkëveprimit tregtar për produktet bujqësore”.

Ajo u shpreh se, “në vijim të axhendës së takimeve ndërqeveritare të 17+1 ku kam marrë pjesë, u lanë detyra për krijimin e marrëveshjeve karantinore për hapjen e eksporteve për produktet blegtorale, mjaltit dhe bulmetit të cilat i shtohen atyre të bimëve mjeksore, verërave dhe vajit të ullirit”.

“Tashmë janë miratuar marrëveshje me protokolle të qarta që mundësojnë hapjen e eksportit për këto produkte në tregun kinez”, – deklaroi Krifca.

Kjo marrëveshje, vijoi ajo, vjen pas një pune shumë të madhe dhe mundëson eksportimin e produkteve shqiptare duke stimuluar më tej prodhimin vendas.

“Ky është një fryt bashkëpunimi dypalësh si dhe një arritje për kompanitë shqiptare që plotësojnë standartet dhe kriteret. Produktet “Made in Albania” janë një aset i çmuar krenarie të cilat po orientohen drejt cilësisë. Ne vijojmë të punojmë me përkushtim për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe lehtësimi për bizneset shqiptare që prodhojnë apo përpunojnë produkte bujqësore dhe blegtorale për te siguruar tregje për eksportet e prodhimeve shqiptare”, – u shpreh Krifca.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.