Dorëzimi i lipsaneve të Shën Joan Vladimirit/ Rama: Çast emocionues në jetën e komunitetit orthodoks të Elbasanit


TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Elbasan në ceremoninë e kthimit të lipsaneve (eshtrave) të Shën Joan Vladimirit në manastirin që mban emrin e tij.

I shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe deputetë të zonës, Kryeministri Rama mori pjesë edhe në ceremoninë kishtare të organizuar me këtë rast në ambientet e Manastirit.

Ministrja Margariti tha se, “në Manastirin e Shën Joan Vladimirit kemi ardhur dhe me kërkesë të hershme të komunitetit për të përfunduar një proces që kishim nisur së bashku, dorëzimi i eshtrave të Shën Joan Vladimirit që zbuluam se ndodheshin në fondin tonë muzeor të Muzeut Historik Kombëtar”.

“Është një gjest shumë simbolik në fakt se gjithmonë kemi qenë krenarë për bashkëjetesën fetare dhe për të gjithë ndërveprimin që shteti ka pasur me komunitetin, por nuk deshëm të ndalej thjesht te restaurimi e objekteve të kultit, ajo që është parë gjithmonë si mbështetja e Ministrisë së Kulturës. Por me këtë rast edhe me kalimin e lipsaneve të Shën Joan Vladimirit vërtetë aty më afër komunitetit”, tha ajo.

Margariti, duke iu drejtuar priftit të Manastirit, theksoi se “është një nga gjestet shumë të mirëpritura. Besoj se do të gjejë më së miri të gjithë mbështetjen tuaj më pas, sepse ashtu siç ka kërkesa ka edhe detyrime për mirëmbajtjen e tyre. Do të kemi në vijim edhe një lloj bashkëpunimi që nuk është thjesht për restaurim”.

Po ashtu, Ministrja shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan. “Ka qenë një proces burokratik i vështirë, sepse kuadrot ligjore dukej në fillim sikur nuk e lejonin një gjë të tillë, por aty ku qëndron vullneti dhe falë edhe mbështetjes së Kryeministrit, i cili e ka marrë këtë kërkesë, e kemi ndjekur së bashku dhe e kemi përfunduar me sukses. Uroj më të mirat për komunitetin duke e kthyer në atraksion këtë vend”, tha Margariti.

Ajo theksoi se “atraksionet nuk janë vetëm objektet e kultit si objekte që duhet të vizitohen nga turistët, por mbi të gjitha edhe për komunitetet”.

“Jam e bindur se i kemi kthyer në një farë mënyre një tjetër lloj vlere manastirit”, tha ajo.

Ndërkohë prifti i këtij manastiri shprehu falënderimet për kthimin e lipsaneve. “T’i kthejmë Zotit atë që i takon Zotit dhe urojmë që edhe në vazhdim të kemi bashkëpunime të tilla me të gjitha autoritetet vendore, qendrore. Perëndia t’ju bekojë me Shenjtorin e sotëm që na bekon të gjithëve”, tha ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.