Denaj: Regjistrimi i markës rrit konkurrencën e ndershme për biznesin

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në një takim informues për biznesin mbi pronësinë industrial të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale në qytetin e Sarandës.

Ministrja vlerësoi rëndësinë e regjistrimit të markës dhe patentës së një produkti apo biznesi, si një hap i parë në rritjen e konkurrencës së ndershme në treg.

“Unë do të doja që produkti shqiptar nga hashtag tek kafeneja, tek kremi i duarve, tek një markë tjetër prodhimi, tek një reçel, të ketë një markë, e cila jo vetëm thotë emrin e personit që e ka krijuar atë që në momentin që vendosi emrin e biznesit, që buroi nga zemra, por në vetvete ka menduar sesi do ta çojë atë jo vetëm tek tregu, por deri tek perceptimi i secilit qytetar që do ta blejë”, u shpreh Denaj.

Ndërsa duke iu referuar qytetit të Sarandës, të cilin çdo vit e vizitojnë mijëra turistë, Ministrja Denaj, tha, se ka një avantazh, ajo preket nga të huajt dhe kjo prekje ndodh në të gjitha produktet.

Drejtoresha e përgjithshme e DPPI, Ledina Beqiraj, duke iu shpjeguar bizneseve procedurat e regjistrimit, u shpreh se si çdo pronë tjetër, e luajtshme apo e paluajtshme duhet të mbrohet, sepse nëse ju nuk e mbroni, nuk keni një akt që tregon se jeni mbajtës të saj dhe atëhere nuk mund të kërkoni mbrapsht benefitet që vijnë nga mbrojtja.

Që nga muaji korrik 2020 tashmë Drejtoria e Pronësisë Intelektuale është bërë pjesë e e-Albania, ku biznesi mund të aplikojë direkt pa qenë nevoja për tu paraqitur fizikisht pranë DPPI.

Shqipëria që prej vitit 1993 është shtet anëtare e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe çdo vit nga kjo organizatë lançohet një slogan i dedikuar. Për këtë vit slogani është “Biznesi tek Pronësia Intelektuale”. /a.a/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.