BRUKSEL – KE: Johnson & Johnson ka nisur shpërndarjen e vaksinës në BE

BRUKSEL, 12 prill /ATSH-DPA/ – Gjiganti farmaceutik amerikan Johnson & Johnson ka filluar sot të shpërndajë vaksinën e tij me një dozë të vetme në Bashkimin Europian, që pret 55 milionë doza deri në fund të qershorit.

“Dozat e para po largohen nga depot e kompanisë për në vendet anëtare”, tha zëdhënësi i Komisionit Europian, Stefan De Keersmaecker, për gazetarët në Bruksel.

“Ky është hapi i parë për të përmbushur detyrimin e kompanisë për të shpërndarë 200 milionë doza në BE, si edhe në Norvegji dhe Islandë, gjatë vitit 2021”, shtoi ai.

Vaksina Johnson & Johnson u miratua për përdorim në BE një muaj më parë dhe është e katërta që merr dritën jeshile pas atyre të prodhuara nga BioNTech/Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.