Brataj, apel qytetarëve: Jini të përgjegjshëm, nuk po respektohen masat antikovid

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj, tha sot se nuk po respektohen masat antikovid dhe ka grumbullime të vazhdueshme.

Në një intervistë televizive Brataj tha se, “më shqetëson më shumë fakti i spostimit drejt qyteteve të vogla apo fshatrave të largëta, që ishin thuajse të virgjëra”.

“Vala e tretë nuk do të jetë asnjëherë si e para apo e dyta. Do të ketë një rritje, por asnjëherë ajo situatë që është parë në nëntor apo shkurt-mars”, u shpreh ai në lidhje me situatën e pandemisë.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore tha se, “më shqetëson fakti që nuk shoh asnjë parti politike që të bëjë thirrje, ruani distancën, mbani maska, por vazhdon ajo vala”.

“U drejtohem qytetarëve, nuk mund të jemi kaq të papërgjegjshëm, pasi pasojat janë të mëdha. Edhe Izraeli është vendi i parë në botë për vaksinimin, por sërish vdekshmëria është e lartë. Edhe nëse ke bërë dozën e parë apo të dytë, nuk të përjashton që të përhapësh virusin”, tha Brataj.

Lidhur me efikasitetin e vaksinave, Brataj tha se “sigurisht që një vaksinë që kap 50 % mbrojtje është e këshillueshme. Gjithologët dalin dhe thonë mbrojtje 3 %. Kjo është e tmerrshme”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.