Bonusi i bebes/ Mbi 81 mijë fëmijë përfitues që kanë gëzuar familjet e tyre që nga 2019

TIRANË, 12 prill /ATSH/ 9610 fëmijë të lindur nga janari kanë përfituar bonusin e bebes, mbështetjen direkte të Qeverisë, përmes Programit të Mbrojtjes Sociale.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila tha se, “që nga viti 2019 kur nisi ky program universal, 81 793 fëmijë që kanë gëzuar familjet e tyre kanë marrë shpërblimin financiar 40 000 lekë për fëmijën e parë, 80 000 për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për fëmijën e tretë”.

Kur bebet janë binjakë ata përfitojnë nga 80 000 lekë të dy, ndërsa kur janë trinjakë  përftojnë nga 120 000 lekë secili.

Bonusi i bebes, është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja pavarësisht statusit social-ekonomik.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.