Basha në Elbasan: Bizneset deri 140 milionë lekë xhiro, taksat dhe tarifat lokale në total deri 0,5% të xhiros

TIRANË, 12 prill/ ATSH Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me gra sipërmarrëse në qytetin e Elbasanit, ku ka bashkëbiseduar për klimën e sipërmarrjes dhe vështirësitë e mbijetesës së biznesit.

Basha tha se me planin e Partisë Demokratike për biznesin, i cili parashikon që çdo biznes me xhiron nën 140 milion lekë të vjetra në muaj, nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5% të xhiros vjetore në vit, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës. Ai gjithashtu tha se një vendim tjetër i qeverisë së ardhshme do të jetë anulimi i procesit të fiskalizimit, ku sipas kreut të opozitës është një proces korruptiv.

“Nëse ne nuk shëndoshim shtyllën kurrizore të ekonomisë që është biznesi i vogël dhe i mesëm që përbën 98.5% të ekonomisë ndërkombëtare, atëherë ekonomia kurrë nuk ngrihet në këmbë, kurrë nuk mund të ecë përpara. Ndaj dhe platforma për biznesin e vogël është më favorizuesja në rajon. Tavani prej 0.5% të xhiros totale vjetore për taksat dhe tarifat vendore. Nëse i ke më të ulëta dhe natyrisht ne do ta nxisim pushtetin vendor t’i ulë dhe më shumë, akoma më mirë, por 0.5”,- tha Basha.

“Asnjë biznes me xhiron nën 140 milionë lekë të vjetra në muaj nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5 % të xhiros vjetore në vit. Dhe kjo bëhet me qëllim që shtylla kurrizore, biznesi i vogël ta rimarrë veten dhe në këtë mënyrë të ndihmojë gjithë strukturën ekonomike shqiptare”,- u shpreh Basha.

“E dyta është çmimi i naftës apo karburantit, naftë, benzinë dhe çmimi i energjisë elektrike. Edhe këtu ne thyejmë rekorde. Ulja e tyre do të garantojë që ju, jo vetëm të mbijetoni po të rinisni ciklin e prodhimit, të tregtimit, të shërbimeve dhe të krijimit të fitimit në vend të zhytjes në borxhe dhe falimentimit. Një pullë e vendosur në vitrinë, në dritare, në hyrje të biznesit të vogël, do t’ia bëjë të pamundur çdo lloj inspektori të shtetit, të futet brenda dhe të terrorizojë dhe të marrë nëpër këmbë sipërmarrësit, t’i trajtojë si të jenë skllevër të shtetit kur në fakt janë ata që mbajnë shtetin, mbajnë dhe shoqërinë, mbajnë dhe ekonominë”,- nënvizoi kreu i Partisë Demokratike.

Basha gjithashtu pasqyroi dhe platformën për çiftet e reja.

“Platforma jonë për t’ju ardhur në ndihmë çifteve të reja me subvencione për interesat e kredive për banesat, me bonusin prej 30 mijë leke të vjetra për çdo fëmijë të porsa lindur deri në 5 vjeç, me tekstet falas dhe zgjatjen e orarit mësimor për t’ju ardhur në ndihmë si grave të punësuara ashtu dhe sipërmarrëse. Dhe me garantimin që çdo i ri dhe e re shqiptare që dëshiron të shkojë në Universitet të mos pengohet nga pamundësia e familjes për të paguar tarifat universitare”,- u shpreh Basha. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.