Basha: Gjëja e parë, do t’ju ulim taksat dhe t’ju kthejmë shtetin qytetarëve

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me gra profesioniste të fushave të ndryshme, ku bashkëbiseduan për çështje të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë.

Basha tha se prishja e ekuilibrave të shoqërisë, e ka zanafillën në 8 vite dështim dhe pa asnjë bilanc të një njeriu që politikën e përdor si një art mashtrimi.

“Ti s’ke bilanc për 8 vite dhe premton për 4 vitet e ardhshme. Politika mund të jetë art shërbimi ose art mashtrimi. Është art shërbimi kur unë përfill një racional, kur ruan raportet midis këtë që zoton të bëj, bilancin e kam bërë apo se kam bërë dhe gjykimi pastaj që bën votuesi me votë. Ky është thelbi i demokracisë”, – u shpreh Basha.

Sa i përket politikave që do të ndjek me ardhjen në qeveri, Basha tha së gjëja e parë që do të bëjë, është të ulë taksat dhe t’u kthejë shtetin qytetarëve.

Sipas tij, qeverisje konservatore me dimension njerëzor, është normaliteti duke garantuar barazinë para ligjit, konkurrencën e drejtë dhe ata që nuk konkurrojnë dot, të mos vdesin për bukë. Ai gjithashtu tha se këto janë plotësisht të mundshme, por 8 vitet e fundit kemi marrë kthesën e gabuar.

“Gjëja e parë, do t’ju ulim taksat; gjëja e dytë, do t’u kthehet shteti qytetarëve dhe duhet bërë më e qartë nga ju. Qeverisje njerëzore, konservatore, por me një dimension njerëzor, është normaliteti për mua. Ky është normaliteti për mua dhe e pasqyrojnë më së miri shoqëritë dhe qeverisjet europiane. Mos kujtoni se jemi larg për ta arritur. Së pari, jetojmë në një vend të pasur falë Zotit, të vjedhur, por të pasur. Do të thotë që kemi potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi. Ajo që na mungon në këtë vend është normaliteti dhe normalitet do të thotë të garantosh barazinë para ligjit, konkurrencën e drejtë dhe një dimension njerëzor që ata që nuk konkurrojnë dot të mos vdesin për bukë. Këto të treja janë plotësisht të mundshme. Avantazhi është se nuk jemi tren. Krahasuar me vendet e tjera, me Italinë, me Gjermaninë ne jemi një biçikletë. Kemi marrë kthesën e gabuar këto 8 vite dhe nuk do të jetë e vështirë ta fusim në rrugën e drejtë, në qoftë se kemi udhërrëfimin e drejtë dhe vullnetin për ta futur në këtë rrugë”, – tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.