Balla: Belshi është shndërruar në një prej destinacioneve më të rëndësishme agro-turistike në Shqipëri

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit Taulant Balla deklaroi nga Belshi se në 25 prill qarku i Elbasanit do t’i japë PS plot 9 mandate për të çuar përpara transformimin e Belshit.

“Dua t’i kërkoj ndjesë banorëve të Belshit të cilët më merrnin në telefon dhe më thonin pse nuk na lejon të marrim pjesë në takimin me kryeministrin. U thashë që për PS, beteja më e rëndësishme që duhet të fitojmë është beteja me pandeminë. Në 25 prill ne e dimë që qarku ynë i Elbasanit do t’i japë PS plot 9 mandate për të çuar përpara transformimin e Belshit. Unë e di që populli i Belshit ndihet i fyer nga lista e PD. Çfarë mund të presë populli i Belshit nga Dash Sula? Atij i është thënë ik nga Peqini e hajde në Belsh. Si mund ta votojë Belshi një huligan stadiumesh? Si mund të rikthehemi ne tek ata që teksa vije në Belsh, nuk shihje dot liqenin, sepse gjithë kryesia e PD kishte ndërtuar lokalet mbi liqen”, tha Balla.

Sipas Ballës e dinë të gjithë marrëdhënien e PD me të bukurën.

“Jepi qeverinë PD, do të fillojë të njëjtën avaz. Do të shkatërrojë, do bëjnë pis. Prandaj për ne në Belsh është e rëndësishme që punët që kemi nisur t’i çojmë deri në fund.
Nesër fillon Muaji i Ramazanit dhe qoftë i pranueshëm për të gjithë besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë! Teksa po flisja për ndryshimin që PS ka sjellë në Belsh, unë gjithmonë kam thënë që ky është vetëm fillimi i një procesi të rëndësishëm transformimi. Belshi është shndërruar në një prej destinacioneve më të rëndësishme agroturistike në Shqipëri. Ne duhet të vazhdojmë të rrisim kapacitetet tona akomoduese. Jemi ende larg asaj që synojmë për Belshin. Falë mbështetjes së qeverisë ne tashmë kemi iniciuar një projekt në Marinzë, ku për herë të parë është vetë qeveria, Fondi Shqiptar i Zhvillimit që po krijon një model të agroturizmit. Falë bashkëpunimit me bashkinë e Belshit ne do të kemi një prej modeleve më të bukura, i cili duhet të jetë një referencë edhe për sipërmarrjet private. Ky model duhet të vazhdojë kudo. Ne kemi filluar vetëm pjesën e parë të këtij procesi të transformimit dhe ajo që na duhet është se më shumë se kudo tjetër nevoja e mandatit të tretë të Edi Ramës dhe PS është këtu në Belsh. Ne kemi në rrugën tonë të njëjtët kundërshtarë që Shqipëria ka pasur në këto 30 vite. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë bërë bashkë për të rimarrë peng Shqipërinë dhe në këtë betejë ata kanë përballë Edi Ramën. Çdo shqiptar duhet të kuptojë që është e papranueshme që ndryshimi në Shqipëri të ketë emrin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, apo të ketë ende nga ata që besojnë se votën e tyre mund t’ja japin fallxhores”, deklaroi Balla.

Në përfundim Balla i kujtoi demokratëve të Belshit se vota e tyre kësaj radhe çon ujë vetëm tek mulliri i Ilir Metës dhe nuk i shërben PD.

“Investimet në ujin e pijshëm në Belsh filluan vetëm gjatë këtij mandati. Nuk ka pasur asnjëherë një kryeministër tjetër Shqipëria që ta ketë Belshin kaq përzemër sa e ka pasur dhe sa do ta ketë në vazhdim Edi Rama. Sot jemi këtu me këtë pamje që na bën krenar për atë që Dumreja përfaqëson, një popull punëtor, atdhetar dhe që do vazhdojë të bashkohet në këtë iniciativë për t’i dhënë Shqipërisë mandatin e tretë Edi Ramës”, përfundoi Balla.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.