Ata e duan Shqipërinë vetëm për pushtetin/ Nuk lënë fjalë të ulët pa thënë kur flasin me të huajt për Shqipërinë

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Cërriku u shpreh se opozita e do Shqipërinë për pushtet dhe se nëse nuk janë në pushtet janë gati ta djegin.

“Ata kanë dalë nëpër Shqipëri dhe thonë se 8 vite më parë ndodhi një aksident, domethënë populli lajthiti dhe i largoi ata nga pushteti dhe tani i kërkojnë popullit të korrigjojë gabimin. Ndërkohë, ky popull e ka paguar më shumë se një herë në historinë e vet vajtjen pas berihasë. Shqiptarët më shumë se një herë janë zgjuar nga ëndrra shumë të dhimbshme kur kanë besuar te Haxhi Qamili apo te Sudja, Xhaferi e Vehbiu më pas, kur kanë besuar se pa punë, pa karakter e pa drejtim mund t’ia dalin mbanë“, tha Kryeministri.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, jemi ne që nuk ofrojmë këtu as receta magjike e as fusha me lule e mijëra euro.

“Këto shqiptarët i kanë dëgjuar më parë, i kanë provuar më parë dhe do të ishte kulmi të provonin përsëri. Dhe unë prandaj jam i bindur se nuk do të ndodhë kështu, por njëkohësisht që jo vetëm të mos ndodhë kështu, por për të rimarrë një mandat të fortë për të vazhduar të ngjitemi në majën ku Shqipëria meriton, duhet të mobilizohemi, të bashkohemi, t’i harrojmë të tjerat, sepse vota për numrin 12 në fletën e votimit, nuk është votë për një parti, por për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë“, u shpreh Kryeministri.

Sipas Ramës, ata e duan Shqipërinë vetëm për pushtetin.

“Kur nuk kanë pushtetin, nuk lënë gjë pa i bërë Shqipërisë, për ta bërë rrumujë, janë gati ta djegin nga e para për pushtetin e tyre, ashtu sikundër nuk lënë fjalë të ulët pa thënë kur flasin me të huajt për Shqipërinë”, theksoi Kryeministri.

Ne, e vijoi fjalën ai, duam që pushteti të jetë për Shqipërinë.

“Mua nga emigracioni nuk më ka sjellë ndonjë nevojë që të gjej një punë si ministër, nuk më ka futur në politikë halli se nuk dija të bëja punë tjetër. Politika nuk ishte pasioni im i parë. Por, mua më ka kthyer nga emigracioni e më ka futur në politikë bindja se maja ku Shqipëria duhet të ngjitet është e arritshme dhe nëse shqiptarët arrijnë të rezistojnë kur ndjejnë lodhje, arrijnë të durojnë kur ndjejnë kundërshti, e vazhdojë të ngjiten, ajo majë jo vetëm është e arritshme, por atë majë ne së bashku mund dhe do ta arrijmë“, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.