“Angazhim i grupeve të mëdha hoteliere për të ardhur në Shqipëri”/ Investimet e huaja në Shqipëri në rritje

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, totali i investimeve të huaja në Shqipëri është rritur.

Rama u shpreh në një intervistë televizive në lidhje me investimet e huaja se “ato nuk janë larguar nga Shqipëria, por janë të gjitha ndërmarrje, nëse mund t’i quajmë kështu, sipërmarrje që janë kaluar tek investitorë të tjerë”.

“Ikën Sheratoni vjen Hayatti. Deutsche Telekom ka pasur një politikë të tërë tërheqjeje dhe në bazë të asaj politike tërheqjeje ka shitur këtu pjesën e vet. Bankers Petroleumi, kaloi nga një investitor x tek një investitor y, sërish i huaj. Aeroporti i Tiranës, kaloi përsëri tek një investitor i huaj. Pastaj u mor nga sipërmarrës shqiptar”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë ne kemi në Shqipëri gjatë kësaj periudhe një industri të tërë automotive që është futur. Janë koreano-jugorët, janë japonezët që janë futur, janë gjermanë që janë futur. Dhe totali i investimeve të huaja në Shqipëri është rritur”, tha Rama.

Rama përmendi kompaninë gjermane Lufthansa,e cila tha ai, “këtu bën një punë shumë të superkualifikuar për pjesën që janë të lidhur me gjithë ato instalacionet e brendshme të avionëve”.

“Janë kompani të tjera gjermane që punojnë këtu po për pjesë. Këtu bëhen pjesë për Mercedesin. Këtu bëhen pjesë për firma të tjera automobilësh. Pra është një sektor automotiv që ka lindur në Shqipëri dhe po zgjerohet gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Rama.

“Flas për të gjitha fabrikat që ekzistojnë. Shkoni shikoni Lufthansa Solution. Keni 300 a 400 të rinj e të reja që kanë mbaruar IT që marrin paga super tek Air Albania Stadium. E keni aty. Është investim i huaj. Nuk janë zyra përfaqësimi, janë punonjës shqiptarë që bëjnë solucione IT për Lufthansën”, theksoi Rama.

“Po flas për kompani të mëdha të huaja që kanë hyrë në Shqipëri dhe që në Shqipëri zhvillojnë një pjesë të biznesit të tyre. Pastaj a e ndërtojnë fabrikën apo e marrin me qira? A i punësojnë njerëzit në fabrikën e tyre, apo punësojnë vajza dhe djem shqiptarë që marrin rroga shunë të larta për të bërë solucione IT për ata, kjo pastaj është tjetër gjë”, u shpreh Rama.

Në lidhje me investimin në portin turistik të Vlorës, Rama tha se, “është një investim, i cili bazohet tek një konsorcium, ku investitorët janë shqiptarë dhe ku know-how, dija është e huaj”.

“Unë di shumë mirë që projekti është një projekt fantastik di shumë mirë që investitorët janë realë dhe nuk janë fantazma. Të tjerat janë çështje qoftë të procesit të garës, qoftë të kohës që do të tregojë që porti turistik i Vlorës do të jetë një port që do të sjellë për Vlorën dhe për Shqipërinë, një tjetër burim të rëndësishëm të ardhurash, një tjetër hapësirë punësimi dhe patjetër një tjetër fuqi të shtuar për turizmin shqiptar”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi Rama, “kemi një nga kompanitë më të mëdha në botë, Emaar Grup që vjen nga Dubai dhe do të investojë një shumë që s’është investuar në Shqipëri në gjithë historinë, në Durrës për të bërë një transformim kolosal”.

“Emaar Group vjen në Shqipëri për atë arsye që ka thënë i zoti i punës kur ka dalë në televizor, sepse ka ardhur dhe ka gjetur në Shqiëpri kohën e duhur dhe terrenin e duhur për të bërë një investim që kurrë s’kishte për ta bërë 4-5-6 vjet përpara, jo me mbrojtje qeveritare, por dhe me mbrojtje të NATO-s, sepse në fund të fundit Emaar Group bën biznes”, u shpreh Rama.

“Ideja se plazhet dhe portet tona janë ajka e globit dhe këtu thjesht ti hap garën dhe njerëzit vijnë me vrap është një ide e gabaur. Tani me ardhjen e këtyre dallëndysheve të para të biznesit të madh, të biznesit shumë të madh hapet një perspektivë tjetër, pa dyshim dhe do të krijohet një interes komplet tjetër për Shqipërinë, sepse gjithë çështja është jo thjesht se kush je sot ti në çfarë pozicioni je, por edhe sa të tjerët e dinë dhe kanë bindje për atë që ti je. Dhe sot është krijuar kjo bindje”, u shpreh Rama.

“Nuk ka ikur askush nga bregdeti i Shqipërisë se nuk ka pasur asnjë që të vijë dhe të iki. Në bregdetin e Shqiëprisë nuk është afruar askush për vite me radhë. Sot ne kemi një angazhim shumë të madh të grupeve të mëdha hoteliere për të ardhur në Shqipëri që ne as nuk e mendonim fare ndonjëherë Shqipërinë se kur i kemi takuar në fillim, ne na shikonin si UFO. Sot kemi jo rastësisht, kontrata që lidhen mes këtyre grupeve dhe investitorëve shqiptarë për hotele me 5 yje. Që s’kishte Shqipëria një hotel me 5 yje. Sot ka në radhë projekte të hoteleve me 5 yje. Është konkretizuar njëri i pari hotel Plazza dhe janë lidhur kontratat edhe për Hayatt-in edhe për Marriotin. Edhe kontrata me Açor-in në bregdet. Së fundmi u lidh një kontratë me Açor Group që u bë dhe publike nga Açor Group në website-in e vet. Pra jemi në një fazë realisht hyrjeje në një epokë të re në Shqipëri”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.