Ahmetaj: Mjekët marrin pagë 1 mijë euro, do ta rrisim edhe 40 % në mandatin e tretë

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, kandidat i PS-së, në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, gjatë takimit që zhvilloi me banorë të njësisë numër 4 në kryeqytet, tha se “mandati i tretë i PS-së, është për fëmijët tanë, për ta çuar Shqipërinë në pikën pa kthim drejt Bashkimit Europian”.

“Ne na duhet mandati i tretë për ta lënë të shkuarën mbrapa, për të mos i lejuar të njëjtët njerëz, të njëjtët emra e të njëjtat fytyra ta kthejnë vendin në katrahurë”, – tha Ahmetaj, ndërsa shtoi se, “mandati i tretë është për vizionin e Shqipërisë 2030”.

Ai theksoi se “çdo votë për numrin 12 të Partisë Socialiste dhe numrin 5 të deputetit, është e rëndësishme, pasi çdo votë e juaja është e vlefshmë dhe nder për ne”.

“Duhet të mos harroni se çfarë përfaqësojnë ata dhe çfarë ndryshimi ka sjellë programi i PS”, vuri në dukje Ahmetaj.

Ai theksoi se nëse me taksën e sheshtë një mësues, një infermier, një polic do të paguante 10 %, pra për një pagë 700 mijë lekë do paguante 70 mijë lekë në muaj, me taksim progresiv, paguan 60-24 mijë lekë që është një diferencë shumë e madhe.

“Qytetarët me pagat nën 1300 lekë, vetëm në 2014 kanë kursyer 90 milionë USD. Kur morëm ne detyrën ishin 400 mijë të punësuar, ndërsa sot janë 700 mijë të punësuar. E ardhmja e punësimit është sektori privat”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, me taksën e sheshtë janë 590 milionë USD që ikin nga buxheti i shtetit dhe shkojnë në duart e kompanive.

“Apo premtimi i opozitës që thotë se do ta bëjë pagën e mjekëve 1200 euro? Ndërkohë sot mjekët marrin pagë 1 mijë euro dhe ne do ta rrisim edhe 40 % në mandatin e tretë, që do të thotë se paga e tyre do të shkojë 1400 euro”, u shpreh Ahmetaj.

“Kemi që nga 2014 që i kemi dhënë librat falas nga klasa e parë deri në klasën e 9-të dhe nuk ka më fëmijë që nuk shkon dot në shkollë se nuk ka libra apo nënë që qan se nuk e çon dot fëmijën në shkollë se nuk ka para për të blerë librat e shkollës për fëmijën”, vijoi ai.

Ai tha se, mandati i tretë duhet që të shkohet pa kthim drejt progresit.

“Një parti si e jona sfidën e ka me të ardhmen. Fëmijët në klasë të parë nga 1 shtatori do të fillojnë të mësojnë anglisht dhe kompjuter. Ne kemi një politikë të re për nënat e reja që nuk kanë mundësi të çojnë fëmijën në çerdhe duke i mbështetur familjet me të ardhura nën 1 milion lekë në muaj me subvencion prej 100 mijë lekë në muaj, apo me vizita falas tek okulisti për fëmijët deri në 14 vjeç”, u shpreh Ahmetaj.

Ahmetaj theksoi se, “janë 20 shkolla që po ngrihen në Tiranë e 120 shkolla në zonat e dëmtuara nga tërmeti, ndërsa janë 12 mijë apartamente të reja që po ndërtohen falas për të gjithë të prekurit nga tërmeti”.

“Ne i kemi rritur pensionet me 5 % dhe atë që ne e quajmë pagesë të solidaritetit do ta bëjmë të përhershme me rritje çdo vit deri në 7 %”, u shpreh Ahmetaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.