5 mijë euro grant dhe amnisti për paratë e emigrantëve/ Plani i veprimit të PS-së për nxitjen e agroturizmit


TIRANË, 12 prill/ATSH-Maela Marini/ 5 mijë euro grant dhe një amnisti specifike e fokusuar tek emigrantë që duan të kthehen qoftë fizikisht, qoftë me investimin e tyre dhe të hapin një agroturizëm apo një bujtinë në shtëpitë e të parëve.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një takim nga Belshi se këto janë dy pika në planin e veprimit të PS-së.

Kryeministri theksoi se “në planin tonë të veprimit ne kemi vendosur që do japim 5 mijë euro grant për çdo emigrant që do të vijë në Shqipëri për të rindërtuar shtëpinë e gjyshërve”.

“Do t’i japim mundësinë çdo emigranti që do hyjë në këtë rrugë, mundësinë e sjelljes së parave këtu në bankat e Shqipërisë pa i kërkuar llogari për asgjë tjetër, veçse mos të jenë para të krimit”, tha Rama.

Rama tha se bëhet fjalë për, “një amnisti specifike e fokusuar tek emigrantë që duan të kthehen këtu qoftë fizikisht, qoftë me investimin e tyre, që të vijnë për të hapur derën e shtëpisë mbyllur”.

Kjo, sipas tij, “do të sjellë një transformim të madh ekonomik si në shumë zona të bekuara të Italisë, ku agroturizmi është futur si pjesë e motorit të zhvillimit ekonomik”.

“Duke parë ata në varkën që po bënin shëtitje, m’u kujtua si është tallur Arif Tafani me mua kur i pata thënë që ky liqen do bëhet një liqen i lundrueshëm për vizitorët dhe turistët që do vijnë në Belsh. Po si mos të tallej Arifi, që ishte prej vitesh në krye të bashkisë dhe luftonte me mish e me shpirt vetëm për të pastruar, aq sa mund të pastronte nga plehrat, që e kishin mbytur këtë vend të bekuar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “për të ardhur në Belsh ishte një torturë e vërtetë. Pa rrugë, dhe ne kur vinim këtu aso kohe i bënim takimet elektorale te rruga majtas, ku të mbyste pluhuri dhe tribunën e vendosnim me balanca poshtë që mos të rrinte shtrembër. Sot Arifi tha janë 4 mijë vizitorë që vijnë çdo fundjavë në Belsh, janë pak, edhe pse ishte e paimagjinueshme kjo deri pak vite më parë, por janë pak”, tha Rama.

Ai shprehu bindjen se “shumë më tepër do të bëhen dhe do të vijnë këtu për të kaluar fundjavën dhe më shumë se fundjavën”.

“Kjo do të sjellë padiskutim një rritje shumë të konsiderueshme në vitet që vijnë të strukturave akomoduese, të agroturizmave, bujtinave dhe transforimin e shumë dhomave për të mikpritur njerëz”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është vetëm një vend i bekuar dhe këtu është dashur vetëm të imagjinohet me guxim e ardhmja dhe të punohet për të”.

“Jemi ekzaktësisht në rrugën e duhur për Belshin e gjithë këtë komunitet. Këtu si kudo ka plot vajza e djem, burra e gra që jetojnë në emigracion. Është koha t’u japim atyre jo vetëm mesazhin, por edhe shtytjen që kursimet e tyre në emigracion t’i investojnë te shtëpitë që kanë lënë këtu për t’i kthyer në bujtina, agroturizëm dhe për të fituar nga shtëpitë e rindërtuara dhe transformuara shumë më tepër se jashtë shtetit”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.