5 kompani në garë për ndërtimin e rrugës Vau i Dejës-Koman

TIRANË, 12 prill/ATSH/ 5 kompani kanë paraqitur ofertat për rikonstruksionin e aksit rrugor Vau i Dejës-Koman 30.7 km.

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci bëri të ditur se në garë kanë marrë pjesë 5 kompani dhe se pas vlerësimit të ofertave do të përzgjidhet edhe kompania fituese.

“Menjëherë ka filluar faza e vlerësimit të ofertave dhe shumë shpejt do të lidhet kontrata dhe fillimi i punimeve në rrugë. Afati për ndërtimin e kësaj rruge 30 km të gjatë është 18 muaj”, tha Beci

Ky është investimi i parë i kësaj natyre që do të realizohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

“Përmirësimi i shtresave, nënshtresave, kthesave dhe urave ekzistuese, si dhe përshtatja e punimeve me natyrën e zonës do të bëjnë që ky projekt të mos vlejë vetëm për nevojat e Korporatës e banorët, por edhe të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin turistik të zonës”, deklaroi Beci.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.