“100 ditë, 100 arritje”/ Koha e reagimit të shërbimeve policore sot vetëm 18 minuta nga 35 në 2013-ën

TIRANË 12 prill/ATSH/ Afati kohor i reagimit të Policisë së Shtetit pas marrjes së një njoftimi është vetëm 18 minuta nga 35 minuta që ishte pak vite më parë.

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një pyetje ndjekësve të tij në instastory në rrjetin social Instagram, në rubrikën “100 ditë, 100 arritje” se sa ishte afati kohor mesatar i reagimit të Policisë pas marrjes së një njoftimi, 35 minuta apo 18 minuta.

“18 minuta është sot koha e reagimit të shërbimeve policore nga 35 minuta që ishte në vitin 2013. Shpejtësia e reagimit do të rritet më tej në vitet që vijnë”, tha Rama.

Nga salla e komandimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, koordinohen në kohë reale komisariatet me patrullat, njësinë speciale, kamerat policore trupore, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë.

Përmes numrit unik 112, në sallën e komandimit regjistrohet një mesatare prej 1400 telefonatash në ditë nga qytetarët e Tiranës, si dhe përcillen gjithashtu 120 njoftime në ditë nga aplikacioni Komisariati Dixhital që përfshin të gjithë Shqipërinë.

Përgjigjja e Policisë është e detyrueshme. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, nëse vite përpara kemi pasur një mesatare prej 50 % të rasteve kur reagohej, ndërsa për pjesën tjetër prej po 50 % nuk ndërmerrej ndonjë veprim, tani policia është e detyruar të veprojë për çdo telefonatë që merr.

Kjo falë teknologjisë e cila i ka shërbyer rritjes së shërbimit ndaj qytetarëve. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.