Titulli “Mjeshtër i Madh” për sportistë të shquar vlonjatë

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë disa sportistë të shquar vlonjatë, të dalluar për rezultatet e tyre të suksesshme.

Me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Meta vlerësoi futbollistin e paharruar, Miltjadh Gurma “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe personalitetin e gjithanshëm në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të shkëlqyera si lojtar dhe trajner me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Mundësit, Safet Abazi (pas vdekjes) “Për kontributin dhe punën e palodhur në arritjen e rezultateve të larta në sportin e mundjes, me ekipin e klubit sportiv ‘Flamurtari’, si dhe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Ruzhdi Zeneli “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe kontributin e madh në mundjen klasike, si sportist kampion me ekipet “Flamurtari”, “Partizani” dhe Ekipin Kombëtar. Mundës i talentuar me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Shkëlqim Korkaj “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive, në sportin e mundjes klasike, si sportist i klubeve sportive ‘Flamurtari’ dhe Ekipit Kombëtar. Sportist kampion me rezultateve të spikatura në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Ilirjan Korkaj “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në mundjen klasike, si sportist i ‘Flamurtarit’ dhe ekipit Kombëtar. Mundës kampion me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare”.

Fitus Korkaj “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në mundjen klasike, si sportist i ‘Flamurtarit’ dhe Ekipit Kombëtar. Sportist kampion dhe trajner i suksesshëm në veprimtaritë e mundjes klasike në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi me  titullin “Mjeshtër i Madh” kampionin e bilardos Roland Panozaqi, “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë si themelues i sportit të Bilardos në qytetin e Vlorës dhe masivizimin e këtij sporti në arenën kombëtare. Trajner i rezultateve të larta sportive, i cili ka përfaqësuar me dinjitet vendin tonë, me fitimin e titujve ‘Kampion Bote’ dhe ‘Kampion Europe”.

Peshëngritësin e shquar Edmond Gjoka “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar si trajner në sportin e Peshëngritjes me ekipin ‘Flamurtari’ dhe Ekipin Kombëtar. I dalluar në përgatitjen e sportistëve cilësorë, me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Si kampionin dhe trajnerin e ping-pongut, Kastriot Rukaj “Në shenjë vlerësimi për kontributin shumëvjeçar në sportin e Pingpongut si sportist dhe trajner i talentuar me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës u shpreh se, “sporti në qytetin e Vlorës është pjesë e trashëgimisë dhe e kulturës së çdo vlonjati. Asgjë nuk mund të zëvendësojë mungesën e tij, pasi rezultatet dhe arritjen e shkëlqyera sportive janë shkruar me germa të arta në historinë e këtij qyteti. Të gjithë këta sportistë janë të niveleve më të larta kombëtare, të cilët  e kanë nderuar Shqipërinë brenda dhe jashtë saj”.

“Është koha për të apeluar, që të gjithë së bashku, të mbështesim më shumë sportin, sepse kemi shumë për të bërë, që të arrijmë nivelet më të mira që ka arritur  “Flamurtari” në të kaluarën në të gjitha disiplinat. Vlora ka qenë  dhe mbetet djepi i përgatitjes së sportistëve më të mirë,  të cilët kanë  arritur  rezultatet më të larta në të gjitha disiplinat, duke nderuar vendin e tyre me ‘Flamurtarin’ e Vlorës”, përfundoi Meta.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.