Shqipëria e para në rajon në qeverisjen dixhitale/ E nevojshme ngritja e kolegjeve profesionale

TIRANë 11 prill/ATSH/ “Të gjitha raportet e bëra nga institucionet ndërkombëtare thonë se në qeverisjen dixhitale jemi të parët në rajon për nga shumëllojshmëria e shërbimeve publike dixhitale, por është një bazë dhe jo cikël i mbyllur dhe për ta bërë cikël të mbyllur na duhet një ndërveprim shumë intensiv me të gjithë ekspertët e IT”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj në fushën e IT në qendrën “Tumo”.

Për të garantuar këtë, tha Rama, na duhet një mënyrë funksionimi komplementare dhe e përbashkët, ndërsa shprehu bindjen se në këtë drejtim ka një potencial të jashtëzakonshëm.

“Ne duam që këtë pjesë ta institucionalizojmë si një objektiv kombëtar dhe t’u japim mundësinë një numri gjithnjë e më të madh të rinjsh të futen në botën e kodimit duke patur një rrjet të organizuar qendrash që e krijojnë atmosferën dhe kushtet. Ne duam që të kemi në qendrat urbane duke nisur me 6 qendra fillimisht dhe pastaj për tu shtrirë hap pas hapi në çdo bashki në këtë dekadë“, u shpreh Rama.

Ndaj, vijoi Rama, në planin e veprimit 2021-2025 planifikojmë ngritjen e 6 qendrave të parave që janë edhe qendrat kryesore ku garantohen gjithë kushtet, duke u dhënë mundësi të reja financiare start up-ve, që të sigurohet një kapacitet financues i çdo hapi të ri.

“Duam që një pjesë të Kodimit ta institucionalizojmë si një objektiv kombëtar”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “ne kemi sot nevojë të hyjmë seriozisht në konsolidimin e një fashe të ndërmjetme midis arsimit profesional dhe studimeve të thelluara të larta, duke ju dhënë mundësi shumë të rinjve që mbarojnë arsimin profesional, ose gjimnazin që të shkojnë të specializohen në këtë fashë kolegjesh profesionale, që nuk janë studime të thelluara për t’u bërë doktor e profesor, por janë marrja e një dijeje specifike për të hyrë në një rrugë specifike”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.