Rruga jonë na çon në majë/ Kur ata janë në pushtet Shqipëria kthehet në plaçkë dhe shqiptarët mish për top

TIRANË 11 prill/ATSH/ Kryeministri Rama gjatë takimit me të rinjtë në Laprakë tha se nuk kërkonte mandatin e tretë për vete. Sepse, tha ai, nëse do të ishte në aspektin personal i kishte realizuar të gjitha.

“I kam prekur majat që prek dikush që merret me politikë dhe i kam patur të gjitha nderet që mund të ketë dikush që votohet nga populli i tij dhe nëse do të ishte një bilanc personal, do të ishte shumë e lehtë për mua, por unë nuk jam ngjitur për të ndaluar këtu, sepse ka një dallim shumë të madh, sepse ne e duam pushtetin për Shqipërinë, ata e duan Shqipërinë për pushtetin. Për ta Shqipëria është vendi i të gjitha të zezave, kur ata nuk e kanë pushtetin dhe kur janë në pushtet, Shqipëria është plaçkë dhe shqiptarët janë mish për top. Dikush që përsërit të njëjtën gjë e pret një rezultat tjetër është thjeshtë budalla, thotë populli”, theksoi kryeministri më tej.

Rama tha se, “ne jemi këtu për të vazhduar të ngjitemi, të bëjmë atë që kemi mision, atë që kemi marrë përsipër me kurajo e vendosmëri, për të bërë më të vështirën, për të mos i rënë shkurt, për të bërë edhe për ekonominë, edhe për mirëqenien, edhe për turizmin, edhe për bujqësinë, energjinë, teknologjinë, arsimin e shëndetësinë atë që po bëjmë sot, duke fituar mbi tërmetin e armikun e padukshëm”.

“Por nëse kjo kundër pasojave të tërmetit e armikut të padukshëm është një luftë që shihet e fitohet çdo sekondë, tjetra është një luftë që duhet bërë në çdo sekondë edhe pse shumë kush nuk e sheh në çdo sekondë. Na duhet të vazhdojmë të kërkojmë me insistim bashkimin e forcave me të gjithë njerëzit e zakonshëm. Nuk ka patur në historinë tonë një tjetër forcë qeverisëse që ka komunikuar kaq shumë me popullin dhe ka bërë kaq shumë për t’i dhënë akses popullit në veshët e qeverisë e kryeministrit”, tha Rama.

Rama vuri theksin te qeverisja pa dallim gjatë këtyre viteve, pavarësisht bindjeve partiake, përkatësive krahinore, apo statusit social.

“Kur ne nisëm të kurojmë plagët e tërmetit nuk i pyetëm njerëzit me kë jeni, por ecëm së bashku me të gjithë njerëzit. Kur morëm familjet e mbetura pa strehë në pak sekonda nuk i ndamë socialistët në hotel dhe demokratët në çadra, por përkundrazi i sistemuam të gjithë njëlloj, edhe kur filluam të rindërtojmë shtëpitë nuk thamë të futim njëherë socialistët e pastaj demokratët, por të gjithë një e nga një pa i ndarë. Ashtu sikundër, kur ne u bëmë i dyti vend në këtë lagjen mes Europës që siguroi vaksinimin masiv, nuk thamë një herë socialistët e gjyshërit e socialistëve, pastaj demokratët”, u shpreh kryeministri. /a.a/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.