Rruga e Lumit të Vlorës/ Rama publikon letrën drejtuar Ahmet Zogut: Banorët ua kërkuan të tërëve me radhë, por premtimi u mbajt vetëm prej qeverisë sonë

TIRANË 11 prill/ATSH/ E premtuar 100 vjet, rruga e Lumit të Vlorës po bëhet gati për t’iu zbuluar shqiptarëve e turistëve një thesar të fshehur të parajsës natyrore të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një letër që banorë të Vlorës i kishin dërguar Ahmet Zogut për ndërtimin e kësaj rruge.

“Kur në vitin 1930 një përfaqësi e komunitetit i kërkonte Ahmet Zogut ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës, të cilën banorët ua kërkuan të tërëve me radhë dhe të tërë pa përjashtim ua premtuan, por premtimi u mbajt vetëm prej qeverisë sonë”, u shpreh kryeministri.

Në rrugën e Lumit të Vlorës, loti 2 mund të konsiderohet i mbyllur, ndërsa në lotin 3 ka kohë që kanë filluar punimet që janë hapur gati në 80% të tyre.

Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, projekti ka për qëllim të lidhë Vlorën me Himarën dhe të krijojë akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut

Përfundimi i këtij investimi do t’i japë zhvillim ekonomik të gjithë fshatrave përmes agroturizmit, shkurton distancën nga Vlora dhe ofron një rrugë alternative piktoreske me destinacion bregdetin e jugut. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.