Plani i Veprimit 2021-2025/ Shqipëria e dekadës së re me produkte “Made in Albania” dhe çmime konkurruese

TIRANË, 11 prill/ATSH/  “Shqipëria e dekadës së re me Plan Veprimin e Partisë Socialiste është Shqipëria e produkteve “Made in Albania”, produkte cilësore me çmime konkurruese”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama sot gjatë një takimi me të rinjtë në zonën e Laprakës ku theksoi se, “Plani i Veprimit 2021-2025 parashikon krijimi i rrjetit të fabrikave me produkte “Made in Albania” që do konkurrojnë edhe në Europë”.

“Sot mund ta mendojmë këtë gjë, pasi dje ishte e pamundur për shkak të fushës së minuar të lënë nga qeveria paraardhëse”, u shpreh Rama.

“Sot para dite para se të vinim për këtu, më erdhi një dhuratë nga një grup punonjësesh dhe një sipërmarrës në  Berat, kjo atlete, në fakt, më erdhën dy palë të bardha dhe një palë të zeza. Këtu kam marrë të majtën e bardhë dhe të djathtën e zezë, është e markës “Philip Lane”, është një nga emrat më të njohur në botën e modës dhe kjo atlete e prodhuar në Berat shitet sa frangu pulën në Europë. Ajo që unë dua, që ne duam, është që në këtë dekadë ku kemi hyrë dhe në planin tonë të veprimit “2021-2025” të arrijmë që gjithë struktura jonë, rrjeti jonë i fabrikave të prodhimit të kaloj në një nivel tjetër, dhe ato zonjat në Berat, duararta, ato sipërmarrës kurajoz që krijojnë kaq shumë punës, të fillojnë të hyjnë në tregjet e huaja me produkte “Made in Albania””,- nënvizon Rama.

“Jo më me markat e stërnjohuara, por me markat shqiptare. Me markat shqiptare që me këto dijeni të fituara, me këtë eksperiencë të fituar, me këtë këmbëngulje për punë, shqiptarët mund t’i krijojnë, jo për të arritur në majat e botës, por për të arritur të shesin produkte e tyre që s’kanë asgjë më pak në Europë e botë e për t’ju ofruar produkte të kësaj cilësie por “Made in Albania”, që patjetër kushtojnë më lirë dhe kanë të njëjtën punë”,- tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.