Plani i Veprimit 2021-2025/ Fond garancie sovrane për Startup-et prej 50 milionë euro

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Gjatë qeverisjes socialiste janë hapur mbi 150 startup-e, ndërsa qeveria në planin e veprimit 2021-2025 ka vendosur një fond garancie prej 50 milionë eurosh që do të lehtësoj financimin e këtyre aktiviteteve.

Kryeministri Edi Rama gjatë një takim me disa të rinj sot në “Tumo Tirana”  theksoi se kur mori drejtimin e vendit ishin rreth 4 stratup-e, ndërsa sot janë më shumë se 150 të tilla.

“Shumë respekt për punën që ju bëni dhe për shembullin që ju jepni, pasi është një shembull shumë frymëzues. Ajo ç’ka është e para që unë kam patur gjithnjë shqetësim, qysh kur ju keni nisur të formëzoheni që në embrion, është se si shembulli juaj të njihet nga të tjerët”, u shpreh Rama.

“Bota juaj është një botë e jashtëzakonshme, por për shumë vajza e djem ky është edhe prioriteti i parë që ne kemi për vijimin që këtë botë ta hapim dhe ta bëjmë të dukshme për të tjerët, duke ju krijuar juve mundësi, që të keni më shumë kapacitet për të përfshirë më shumë njerëz”,-tha Rama.

Duke folur me shifra, Kryeministri deklaroi se numri Startup-eve të reja është mbi 150.

“Po shikoja disa shifra që janë goxha inkurajuese, në vitin 2013 ishin rreth 4 të tillë, sot janë 150 startup-e vetëm me fondet e vëna në dispozicion të sfidës së inovacionit, nuk janë pak, ashtu sikundër nuk janë pak edhe të gjitha përpjekjet e bëra nga disa prej jush për të shkuar përtej atij rrethi të aktivitetit tuaj, siç është rasti i Orit, që është angazhuar në këtë proces fantastik të aksesimit dhe trajnimit të të rinjve të tjerë, për t’u bërë gati për këtë botë të re të themi”,- tha Rama.

Ram u premtoi të rinjve që Plani i Veprimit të Partisë Socialiste 2021-2025 ka parashikuar një fond sovranë prej 50 milionë euro për financimin e këtyre startup-eve

“Ne kemi bërë një analizë dhe faktikisht kemi kalkuluar që është plotësisht e mundur, që përmes planit tonë të veprimit 2021-2025 të vendosim një fond garancie sovrane, për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë botë dhe që e dëgjova dhe nga dikush këtu, që kanë probleme me institucionet me financiare, një fond garancie prej 50 milionë eurosh, që do lehtësoj në mënyrë të ndjeshme aksesin tyre në financimin e aktivitetit që ndërmarrin. Nga ana tjetër, ne kemi përcaktuar në planin tonë të veprimit dy programe të rëndësishme kombëtare, inovacioni dhe ekselenca në it, dhe tjetra inovacioni dhe ekselenca në manifakturë”,- nënvizon Rama.

“Po ashtu ne kemi tani një punë të mirë të realizuar në këtë drejtim, ku përveç Tiranës kemi dhe një qendër tjetër graviteti, në Korçë, ku është bërë një investim i rëndësishëm për ta kthyer bibilotekën e Korçës, në një qendër të mirëfilltë të transferimit të dijeve dhe inovacionit për ti dhënë mundësi startup-eve për të pasur një shtëpi, për t’u shkëmbyer e për të qenë me njëri tjetrin. Kam parasysh koordinimin në funksion të shtytjes përpara të axhendës qeverisëse në këtë sektor”,- theksoi Rama, ku nënvizoi se ndërveprimi me qeverinë e sipërmarrësve në fushën e startup-ve duhet të jetë konstant.

“Në dijeninë time, ju keni qenë në kontakt të vazhdueshëm më ato pika referimi që kemi ngritur për ju në qeveri, por ndërveprimi duhet të jetë konstant. Nuk duhet të presim të kemi takime të tilla për të dëgjuar sugjerimet apo për të marrë në konsideratë një ide fituese, por duhet të krijojmë strukturë të përbashkët, kjo është e mirë kalkuluar në ligjin e ri për startup-et dhe aty ka qenë dhe kontributi i shumë prej jush, që janë përfshirë në ato diskutime me qëllim të funksionojnë me kohezion të plotë me njëri tjetrin. Qeveria nuk bënë dot asgjë nga ato që bëni ju, por dhe ju s’bëni dot gjithçka nga ajo që bëni, pa qenë qeveria për t’ju dhënë atë mundësi që kërkohet në një fazë të caktuar të procesit, pasi kjo kërkon një harmonizim të punës. Dhe në çfarë dëgjova këtu për programin e rimbursimit të recetës elektronike, apo çfarë dëgjova këtu për programin për shkollën, janë gjëra që shkojnë në sintoni të plotë me atë që po synojmë”,- tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.