Plani i Veprimit 2021-2025/ 10 milionë euro për universitetet

TIRANË 11 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në “Planin e Veprimit 2021-2025” qeveria planifikon një fond prej 10 milionë eurosh për të nxitur universitetet që të krijojnë sinergjira reale me universitetet e huaja.

“Pra jo thjeshtë binjakëzime, por sinergji reale dhe për tu dhënë mundësi të rinjve që të shkojnë në universitetin e Gjirokastrës, le të themi, dhe në mos i gjithë universiteti, programe të caktuara të jenë programe të një universiteti të huaj. Dhe ti, aty ke të njëjtën kurrikula dhe të njëjtën diplomë“, tha Rama  gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj në fushën e IT në qendrën “Tumo”.

Kështu, vijoi ai, të rinjtë nuk kanë nevojë të ikin jashtë për të marrë atë diplomë të atij universiteti, por e merr këtu.

“Kjo sjell efektin zinxhir, patjetër pastaj të qytetit, jetëzimit. Kemi rastin e Janinës, që para 20 vitesh ishte një vend i bukur, por provincë me pak lëvizje. Sot, Janina është një bum i madh nga të gjitha anët, dhe kjo vetëm falë universitetit”, deklaroi Rama.

Rama u shpreh se sidomos universitetet e qyteteve që kemi ne, mund të jenë pikënisja për të bërë këtë integrim.

Kryeministri informoi se në Shqipëri do të vijë edhe një filial i Universitetit Teknik të Stambollit. Por, vuri në dukje Rama, unë po flas për integrimin e universiteteve tona me ato të huaja.

“Për shembull Bocconi ka disa programe në Universitetin e Shkodrës apo Vlorës dhe ti shkon praktikisht në Universitetin e Bocconit në Shkodër apo Vlorë’”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se Shqipëria i ka mundësitë që brenda kësaj dekade të kthehet në kampione të Ballkanit në turizëm, eksporte bujqësore, energji dhe IT. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.