Nga sistemimi i lumit të Bunës deri te rikthimi i linjës hekurudhore/ Investimet që duan shkodranët

TIRANË 11 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci ka kërkuar nga ndjekësit e tij në rrjetet sociale të veçonin dy nga projektet më të rëndësishme që do të donin të investoheshin nga qeveria në Shkodër.

Ndër sugjerimet e shumta ishte kërkesa për ndërtimin e një qendre industriale ku përveç prodhimit, rol të kishte edhe edukimi profesional i të rinjve. Lidhur me këtë, Beci u shpreh se një nga shtyllat e punës do të jetë patjetër tërheqja e investimeve dhe lidhja me edukimin profesional në funksion të krijimit të vendeve të mira të punës.

Njëkohësisht qytetarët kërkuan ndërtimin e një kompleksi modern shumsportesh (pistë atletike, fusha tenisi, salla te mbyllura,etj), si dhe më tepër investime në Alpe.

Në bashkëbisedimin e tij, Beci solli në vëmendje se në vitin 2019 është miratuar në qeveri plani i integruar i Alpeve, i pari i këtij lloji në vend. “Aty kemi argumentuar se investimet publike në zonën e Alpeve i kthejnë ekonomisë së zonës disafish investimin. Ndërsa pistat e skive do të varen edhe nga interesi privat për të investuar, ka edhe një sërë aktivitetesh të tjera me natyrë verore e dimërore që mund ta bëjnë më të pasur ofertën turistike të zonës malore”, tha ai.

Një tjetër qytetar ka vënë theksin në rëndësinë që ka zgjerimi i rrugës nga kryqëzimi te harku i Bërdicës deri te by pass-i i ri, si dhe hartimin e një projekti të sistemimit të bregut të liqenit, për të cilin Beci tha se do të vazhdoje dhe parashikon zona të gjelbëruara dhe plazhe për tu shfrytëzuar nga qytetarët.

Ndërtimi i rrugës për te liqeni i Vaut të Dejës, ishte një tjetër kërkesë.

“Liqeni i Vaut të Dejës është një mundësi e jashtëzakonshme për të krijuar një pol të ri turizmi për të gjithë rajonin. Kemi përgatitur një projekt shumë interesant për infrastrukturën e lundrimit të liqenit të Vaut të Dejës e të Komanit që do të fillojë nga zbatimi sivjet”, tha Beci.

Rikthimi i linjës hekurudhore, ishte një tjetër kërkesë për të cilën Beci tha se ka përfunduar projekti për të bërë një hekurudhë moderne Vorë-Shkodër-Han i Hotit me financim të BE-së.

Beci po ashtu informoi se sistemimi i lumit Buna është projekt kompleks dhe se ndërtimi i pritshëm i HEC Skavicës do të mundësojë marrjen seriozisht me përmbytjet e shkaktuara nga Buna, dhe kthimin e lumit nga kërcënim në burim mirëqenieje për Shkodrën.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.