Kryemadhi nga Kavaja: Votoni numrin 6 për të sjell ndryshimin

TIRANË, 11 prill/ATSH/  Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka bërë thirrje nga Kavaja ku ishte sot në një takim me simpatizant të LSI, të votojnë për numrin 6 për të sjell ndryshim.

Sipas saj, “ndryshimi është fundi i tranzicionit, është fundi i këtij tranzicioni të kalbur që po i merr shpirtin shqiptarëve çdo ditë dhe më shumë”.

“Të flasësh sot për Rilindjen në ikje, me thënë të drejtën do duhen ditë të gjata. Të flasim sot për problemet që ata shkaktojnë në familjen shqiptare përsëri do duhen javë të tëra. Të flasim për grabitjen që u kanë bërë shqiptarëve dhe familjeve të Kavajës përsëri do duhen ditë, javë e muaj të tërë. Por ajo që është më e rëndësishmja sot është që ne nuk do të kthejmë më kokën pas”,- tha Kryemadhi.

“Por do të ecim përpara për hir të të rinjve dhe të rejave. Për hir të shqiptarëve. Sepse një nga gjërat më të rëndësishme sot për ne është familja. Është të qëndruarit në Shqipëri. Është të ndalojmë shpopullimin, ti japim forcë dhe kurajo njëri tjetrit  për të ecur përpara dhe për të sjellë djemtë dhe vajzat e shqiptarëve në Shqipëri. Për ti kthyer nga migrimi dhe për të pasur një jetë të vërtetë evropiane dhe dinjitoze në Shqipëri”,- u shpreh Kryemadhi.

“Unë do ju ftoja që në 25 prill të drejtoheshit të gjithë në kutitë e votimit duke votuar numrin 6. Duke votuar numrin 6 ju do të votoni për veten tuaj. Duke votuar numrin 6 do të votoni këtë ndryshim të cilin mezi e kemi pritur dhe ndryshimi nuk është thjesht fjala ndryshim. Ndryshimi është fundi i tranzicionit, është fundi i këtij tranzicioni të kalbur që po i merr shpirtin shqiptarëve çdo ditë dhe më shumë”,- përfundoi ajo.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.