Kalo apel qytetarëve të mos refuzojnë të vaksinohen, arma e vetme për të luftuar virusin

TIRANË 11 prill/ATSH/ Mjeku infeksionist, Tritan Kalo apeloi sot të gjithë qytetarët që të mos refuzojnë të vaksinohen, pasi është e vetmja armë që sot kemi në dorë për të luftuar virusin Sars-Cov-2.

Kalo shprehet se mosha e të shtruarve varion nga 31-72 vjeç, me ose pa sëmundje bashkëshoqëruese dhe se numri i të shtruarve ka rënë kohët e fundit, ashtu si dhe numri i personave që kanë humbur jetën, por thekson Kalo, kemi ende rrugë për të bërë deri sa njëzëri të thërrasim: fitore!

“Kohë kovidiane. 11.04.2021. Dita e punës fillon herët në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT/Covid-1. Turni i parë është aty duke u përkujdesur me dashuri e profesionalizëm, për të prekurit nga forma të rënda të infeksionit Sars-Cov-2/Covid-19.Mosha e të shtruarve varion nga 31-72 vjeç, me ose pa sëmundje bashkëshoqëruese. Numri i të shtruarve vërtet ka rënë kohët e fundit, fatmirësisht edhe humbjet e jetëve të të prekurve nga kjo “flamë mbarëbotërore”, por kemi ende udhë për të bërë deri sa njëzëri të thërrasim: fitore! Ndërkohë miq, të afërm, kolegë e bashkëkombas mos e nënvlerësoni efektshmërinë e trinomit të masave: MHD (maskë, higjienë personale e kolektive, distancim fizik kur dhe ku është e mundshme), si dhe mundësinë e të vaksinuarit me rastin më të parë që ju ofrohet. T’i mundësojmë vetes një jetë me sa më pak rrezikshmëri nga virusi jetëlëndues e jetëmarrës i Sars-Cov-2/Covid-19. Përkushtimi, puna, profesionalizmi dhe përkujdesja jonë ndaj jush kurrë nuk do të mungojë. Së bashku gjithmonë”, deklaron Kalo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.