Historia e shqiptarit në Selanik: Punonjësja greke u habit nga veprim i regjistrimit kaq të shpejtë në e-Albania

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj ka ndarë për qytetarët mesazhin e ardhur nga një emigrant shqiptar nga Elbasani, i cili jeton në Selanik lidhur me lehtësimet e shumta, që ka sjellë portali e-Albania.

Qytetari nga Elbasani tregon se falë portalit e-Albania ka arritur të sigurojë certifikatë personale për veten dhe bashkëshorten si edhe certifikatën e martesës, të cilën ia kërkonte zyra e regjistrimit për fëmijët në Selanik.

“Kemi marrë shumë urime e falenderime nga qytetarë e biznese që sot e kanë jetën më të lehtë falë e-Albania. Por ky mesazh, nga një shqiptar jashtë vendit ma ngrohu zemrën sot, ndaj dhe vendosa ta ndaj me ju”, shprehet Karçanaj.

“Përshëndetje Linda. Jam një qytetar nga Elbasani dhe jetoj në Selanik të Greqisë, para një jave më lindi nusja në një Spital të Selanikut, dhe shkova në zyrën e regjistrimit të fëmijës.. për ta regjistruar, dhe më kërkuan certifikatë familjare, certifikatë personale për çdo prind, dhe certifikatë martese, me programin E-Albania un i kalova direkt në zyrën e regjistrimit me PDF, dhe punonjësja e zyrës u habit, dhe po më shikonte në sy… dhe më tha,, vetëm për ty është ky program? Jo i thash.. është për të gjithë shqiptarët. Ajo tha.. është hera e parë në prezencën time që shoh një veprim regjistrimi kaq të shpejtë,! Un u lumturova nga kjo pjesë, por u dëshpërova për faktin se shqiptarët nuk janë të informuar për këtë aplikacione, për shërbimin e këtij aplikacioni, dhe kërkesa ime është kjo,, a mundet që aplikacioni të ketë gjuhë shtesë… si prsh, greqisht, italisht, gjermanisht, dhe anglisht, do ishte perfekt fare. Ju faleminderit për çdo gjë që bëni për ne”, thuhet në mesazhin e qytetarin.

Përmes portalit e-Albania qytetarët shqiptarë, që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë territorit kanë përfituar mjaft lehtësira. Tashmë 95% e shërbimeve publike merren online, në e-Albania, pa u paraqitur fare në sportele të institucioneve, një pjesë e mirë e të cilave ofrohen për shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë kufijve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.