FOTOGALERI-Shiroka, magjia buzë liqenit të Shkodrës/ Banorët për ATSH: Pedonalja e re, ndryshim fantastik e një atraksion më shumë

TIRANË, 11 prill/ATSH/  Vetëm 6 km nga Shkodra ndodhet fshati Shirokë. Nën hijen e malit të Taraboshit dhe buzë liqenit, fshati i hershëm i peshkatarëve mahnit me pamjen e tij.  Gojëdhënat rrëfejnë se në Shkodër “ka rënë shprehja, fryn n’Shirokë”. Ç’ka do të thotë se fryn një erë e lehtë nga jugu, prej nga mendohet se ka marrë dhe emrin fshati.

Teksa mbërrin me makinë mund të ndalosh pranë pedonales së rikonstruktuar rishtazi. Me siguri do të marrë vëmendjen  mozaiku i shtruar me motive të qilimit, një ftesë për të hyrë në traditën e zonës. Në fakt për banorët dhe vizitorët pedonalja është qendra, sepse të gjitha rrugicat e shtëpive të nxjerrin aty. E shtëpitë janë të vendosura lart, një kurorë shkodrane e banorëve besnikë.

Rilindja Urbane e Shirokës, synon kthimin e saj në një qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit. Projekti përfshiu restaurimin e 2000 m2 fasada, ndërtimin e 1500 m2 çati të reja, si dhe ndërtimin e një hapësire, prej 1700 m2 parking publik. Hapësira e rikonstruktuar e sheshit është 20.000 m2 në total.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka udhëtuar drejt fshatit të qytetit veriperëndimor dhe është ndalur të bisedoj me vizitorë dhe banorë të zonës.

“Ne e kemi të nevojshme të vijmë këtu. Jemi në pension dhe besoj se ajri më i pastër dhe zonë më e mirë se Shiroka nuk ka. Investimet e bëra na japin mundësi të ecim pa u trazuar dhe të shijojmë bukurinë e kësaj zone. Është bërë një investim i rëndësishëm. Këtu të shtunë e të diel nuk ka vend. Ne që jemi dhe në pension vijmë këtu dhe gjatë javës. Ky investim që është bërë këtu është shumë i mirë, se i ka dhënë njerëzve distancat dhe hapësirat e nevojshme”,- tha një qytetar për ATSH-në.

“Ndryshimi është shumë i mirë për banorët e Shkodrës dhe jo vetëm. Kjo mbase është një nga pikat që plotëson të gjitha kushtet, plazhin, ajrin  e pastër, afër kemi malin dhe patjetër tanimë dhe infrastruktura shumë e mirë. Janë bërë investime shumë të mira”,- tha një tjetër qytetare.

“Kjo është zonë e preferuar për banorët e Shkodrës dhe ky investim këtu e ka bërë shumë të bukur. Është vërtet kënaqësi të vish e të shijosh këtë zonë dhe tani me këtë ndryshim edhe më shumë. Kjo zonë preferohet edhe më shumë tani që është rregulluar pedonalja, rruga, sheshi këtu”,- tha një tjetër qytetar, i cili thuajse vinte çdo ditë me biçikletë në zonën e Shirokës.

“Në kohën e lirë vijmë me shoqe këtu në Shirokë. Mirë krejt është bërë. Vijmë pasdite zakonisht për ecje, është një kënaqësi kjo zonë. Ndryshimi fantastik”,- tha një vajzë e re për ATSH.

“Jam nga Shkodra, vijë këtu në Shirokë për faktin e qetësisë, një gjë që ta dhuron ky vend. Këtu gërshetohen shumë atraksione, kultura, historia, dhe bukuria e peizazhit. Jam i kënaqur për transformimin që ka pësuar zona këtu. Ka vite që banorët e kanë pritur këtë ndryshim. Jam shumë i kënaqur që u është dhënë mundësia banorëve dhe vizitorëve të kësaj zone ta shijojnë bukurinë e natyrës së Shirokës dhe infrastrukturën e mirë të bërë”,- tha një tjetër i ri për ATSH.

“Unë jam banor i zonës. Ky ka qenë një vend jo i pastër, por ky ndryshim tanimë e ka bërë mjaft të bukur këtë zonë dhe mjaft tërheqëse për vizitorët”,- u shpreh qytetari. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.