Fitorja më 25 prill, për të mundur Shqipërinë e së shkuarës e për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë këtu

TIRANË 11 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se fitorja më 25 prill, për të mundur Shqipërinë e së shkuarës e për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë këtu.

“Ne më 25 prill do të fitojmë, por nëse për ata fitorja është për të na mundur ne, për ne, fitorja është për të mundur Shqipërinë e së shkuarës e për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë këtu, një shtëpi ku çdo vajzë e djalë të jetë krenar, jo vetëm për historinë apo natyrën e traditën, por për kushtet e shtëpisë e pastaj të zgjedhë të rrijë aty apo jo”, deklaroi Rama.

Rama gjatë një takimi në Laprakë, në kuadër të turit elektoral për zgjedhjet e përgjithshme elektorale të 25 prillit u bëri thirrje qytetarëve të harrojnë partitë dhe të votojnë numrin 12.

“Ne kemi një 12 të madhe, 12-n e ngritjes së flamurit të pavarësisë, ditës që lindi PS dhe ne shqiptarët sot kemi këtë 12-n e vogël, për të bërë ato punë të mëdha që mbeten akoma për tu bërë që Shqipëria të mbetet e ardhmja jonë“, tha Rama.

Kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve të mos ndalojnë, mos kthejnë rrugën, mos dorëzohen, sepse tha ai, ngjitja më tej, drejt majës, ku ne duam të mbërrijmë është e vështirë, e se sa më lart të ngjitesh aq më shumë tundimi për tu ndalur, bërë pushim e kthyer pas, apo gjetur një rrugë tjetër, bëhet më i fortë.

“Por, kjo botë është e atyre që nuk ndalen, nuk pushojnë, kokëfortësisht vazhdojnë të ngjiten, atyre që edhe kur rrëzohen, ringrihen e vazhdojnë të ngjiten. Kjo botë nuk ka qenë kurrë e atyre që gjejnë rrugën më të lehtë, të shkurtër, dhe ndaj populli na ka lënë një porosi: rruga më e shkurtë të nxjerr më gjatë. I ranë shqiptarët shkurt kur shkuan pas Haxhi Qamilit dhe ju ra shumë gjatë, pas Sudes, Vehbiut e Xhaferrit dhe ju doli shumë gjatë, i ranë edhe më pas dhe përsëri u doli gjatë. Kjo rrugë nuk është e shkurtër. Kjo rrugë është e gjatë, por ama kjo është vetmja që na çon në majë“, u shpreh Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.