Basha në Përrenjas: 8 vite teatër e kemi paguar shtrenjtë, gratë dhe nënat tona meritojnë të jenë të sigurta

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me gra të papuna në qytetin e Përrenjasit.

Gjendja e rënduar ekonomike dhe burokracitë e shtetit janë shkaku i problemeve që i ngritën gratë Bashës dhe ndryshimin më 25 prill e shohin si dhënie fund të teatrit qeveritar të 8 viteve të fundit.

Basha tha se për 8 vite është bërë teatër me fatet e njerëzve, duke rritur taksat, duke rritur çmimet, duke rritur papunësinë dhe varfërinë. Sipas kreut të opozitës, kjo gjë do marrë fund më 25 prill, duke i dhënë fund këtij teatri të shëmtuar dhe të hapet rruga europiane për Shqipërinë dhe që gratë dhe nënat shqiptare të jenë të sigurta.

“Ndryshimi i 25 prillit nuk do të jetë si gjithë ndryshimet e tjera. Do të jetë një ndryshim që do të hapë një rrugë të re për Shqipërinë, një kulturë të re të të bërit politikë. Ndaj dhe unë nuk përgjigjëm sulmeve të kundërshtarit sepse e gjithë fushata e tij është të na tërheqë në sulme. Mirëpo, në qoftë se ai me sulme e unë me përgjigje ndaj sulmeve ku është populli, ku janë njerëzit? 8 vite e keni paguar shtrenjtë biletën e teatrit. Taksat janë rritur, çmimet janë rritur, papunësia është rritur, varfëria është rritur. Nuk është teatër, por është lojë me fatet e njerëzve, ndaj ju ftoj që të gjithë së bashku t’i japim fund këtij teatri të shëmtuar dhe të hapim me 25 prill rrugën europiane të Shqipërisë. Të hapim me 25 prill mundësinë për të gjithë gratë dhe nënat tona dhe të jeni të sigurta që këtë ditë që më falët kaq shumë emocione dhe që e keni pritur me kaq shumë gëzim. Këtë ditë nuk do ta harroj, nuk do ta harroj jo vetëm si emocion pozitiv, por dhe si përgjegjësi e madhe kur të vij e të ballafaqohem me zotimet që kam marrë para jush dhe para familjeve tuaja” – u shpreh Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.