Basha me të rinj në Përrenjas: Stazh 12-mujor të paguar për 10 mijë studentë, financim 100% të tarifave të studimit

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Përrenjas, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj të këtij qyteti.

Të rinjtë i drejtuan Bashës pyetje për problemet që kanë sa i përket vështirësive ekonomike që ka sot një student për të vazhduar shkollën e lartë dhe për vështirësitë e mësimit online.

Basha tha se është turp që në akoma në ditët e sotme, studentët mësojnë në dërrasë të zezë. Ai u zotua se me digjitalizimin e universiteteve dhe stazhet e paguara nga shteti për 10 mijë studentë, janë disa nga pikat e planit të partisë Demokratike, për t’u dhënë mundësi për vende pune të mirëpaguara për studentët.

“A ka mundësi të eci përpara vendi, kur akoma studentët mësojnë me dërrasë të zezë dhe shkumës si të jemi një vend afrikan i varfër. Çfarë do të bëjmë ne? Digjitalizimin e universiteteve, e shkollave të mesme, të shkollave 9-vjeçare, të praktikave të punës, do të jenë pjesë e pandarë e studimit”, tha Basha

Po ashtu, ai theksoi se për 10 mijë studentët më të mirë do të ketë stazh 12-mujor të paguar nga qeveria.

“Pra, të paguar nga taksat e nënave dhe baballarëve tuaj, me qëllim që ju të keni sigurinë pra të keni njëfarë ure nga auditorët, nga universitetet drejt tregut të punës. Dhe në këtë mënyrë do të plotësojmë edhe atë kriter tjetër që do investitori që do të ketë të rinj të përgatitur për profesionin që do ushtrojnë” tha Basha.

Ky sipas Bashës, është plani që po zbatojnë edhe vendet e tjera të rajonit, të cilat ia dalin ta frenojnë emigracionin e të rinjve sepse krijojnë vende pune me paga të mira.

“Në këtë përpjekje ne kemi mbështetjen e Bashkimit Europian, mbështetjen e universiteteve europiane, investitorëve serioz europian, korporatave të mëdha, të cilat e dinë potencialin e vërtetë të rinisë shqiptare. Këtë kërkojmë dhe ne, investimet europiane, investimet amerikane këtu, për vende pune dhe për paga të mira për rininë shqiptare, sepse ne duhet dhe do ta mbajmë rininë shqiptare në vendin tonë duke i krijuar mundësinë për një të ardhme të mire”, shtoi Basha.

Ndërsa sa i përket studentëve që e kanë të pamundur nisjen e universitetit për çështje ekonomike, Basha tha se do të mbështeten me bursa të gjithë ata studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj.

Ne përllogaritim që afro 5 mijë studentë shqiptarë përfitojnë nga bursa sociale sikundër nuk do të heqim dorë nga bursat e ekselencës”, tha Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.