Balluku inspekton punimet në aksin rrugor Orikum-Dukat, lidh bypass-n e Vlorës dhe tunelin e Llogorasë

TIRANË 11 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ecurinë e punimeve në aksin rrugor Orikum-Dukat, ku po punohet paralelisht në të tre segmentet.

Balluku e cilësoi këtë aks, një vepër e rëndësishme, e cila lidh bypass-in e Vlorës me tunelin e Llogorasë, duke shkurtuar kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut si dhe rritur sigurinë rrugore.

“Kjo rrugë është ndër më të rëndësishmet, e cila do t’i japë jetë bypass-t të Vlorës që pritet të përfundojë para fillimit të sezonit turistik, ndërkohë që tuneli i Llogorasë, për të cilin ka nisur procedura dhe do të dorëzohet sipas kontratës 36 muaj pas fillimit të ndërtimit”, tha ministrja.

Pa këtë urë lidhëse prej 14.7 km, theksoi ajo, nuk do të kishte kuptim lidhja e këtyre dy veprave.

“Vlora është kthyer në një kantier ndërtimi duke qenë edhe porta hyrëse në rivierën shqiptare. Vitet e fundit ka një interes të madh jo vetëm nga shqiptarët e Kosovës, apo Maqedonisë, por edhe nga e gjithë bota. Ne e kemi parë që edhe gjatë verës së 2020-s pavarësisht kufizimeve, ne kemi pritur shumë turistë në këtë zonë“, deklaroi Balluku.

Ministrja theksoi më tej se ndërtimi i infrastrukturës është edhe një kusht jo vetëm për më shumë turistë, por edhe investitorë të cilët e kanë të pazëvendësueshme çështjen e infrastrukturës, sidomos për ndërtimin e hoteleve.

Sipas inxhinierit të kompanisë që po kryen punimet në këtë aks, deri tani janë kryer gati 15% e vëllimit të punimeve, ndërsa me hapjen e kohës intensiteti do të rritet 2 ose 3 herë.

Kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho theksoi se shumë shpejt do të dalë edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet e banorëve të prekur nga projekti.

Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 5 urave si dhe një tunel panoramik.

“Kjo do të jetë rrugë e bazuar mbi një studim të mirëfilltë dhe në kontratë është parashikuar mirëmbajtja e rrugës për një periudhë prej 10 vitesh pa krijuar kosto shtesë te ARRSH-ja”, tha Balluku.

Ministrja tha se rruga po ndërtohet përmes formës PPP (partneriteti publik privat) që është instrument ekonomik e ligjor që funksionon në të gjitha vendet e botës, për të nxitur më tej ndërtimin e infrastrukturës, pa rënduar buxhetin e shtetit me kosto ekstra siç pretendohet nga politika. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.