Balla takim me banorët në Stravaj: Mandati i ri nevojitet për të transformuar Shqipërinë

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e fshatit Stravaj në Përrenjas.

Në fjalën e tij Balla u ndal tek objektivat që duhen realizuar në mandatin e ardhshëm.

“Sot jam njeriu më i pakënaqur që nuk kemi arritur dot ta mbajmë angazhimin tonë kryesor për këtë zonë që është çështja e ndërtimit të rrugës së Stravajt. Do isha njeriu më i qetë në botë nëse do kishim arritur ta kryenim këtë angazhim ndaj kësaj zone dhe ndaj këtyre njerëzve aq punëtorë, aq në punë të vetë dhe aq të vuajtur prej shumë vitesh. Do kisha qenë njeriu më i qetë nëse do ta kishim arritur këtë objektiv por nuk duhet të harrojmë një arsye të vetme. Kemi dy vjet që jemi në luftë”, tha Balla.

Për numrin dy të Partisë Socialiste, mandati i ri nevojitet për të transformuar Shqipërinë. Ai tha se në 25 prill do ndajmë në çfarë drejtimi do ecë vendi.

“25 prilli nuk janë zgjedhjet e komunës, nuk do zgjedhim as kryetarin e komunës e as kryetarin e fshatit. Në 25 prill do ndajmë në çfarë drejtimi do ecë Shqipëria, jo në 4 vitet e ardhshme por në 10 e më shumë vite të ardhshme. Sepse në 25 prill do ndahet, do vazhdojmë me këtë partneritet që kemi me SHBA apo BE-në për të çuar përpara reformën në drejtësi apo do kthehemi mbrapsht prapë! Dhe nëse ndonjëri mendon që duhet të kthehemi tek Ilir Meta bashkë me atë mikun e atij, Saliun, unë mendoj që e ka gabim.
Mbas 30 vjetësh nuk mund të jetë ndryshimi në Shqipëri po të njëjtit njerëz. Unë dua të ju them se për ne është shumë e rëndësishme që të çojmë përpara këtë reformë. Kjo votë kësaj radhe nuk është një votë siç kemi pas çdo 4 vite. Edi Ramën duhet ta ndihmojmë edhe këtu edhe Stravaj,” theksoi Balla.

Balla më tej gjatë fjalës së tij i ftoi banorët të mbështesin me votë kryeministrin Edi Rama, pasi në këtë mënyrë do të çohen përpara misionet historike për të cilat ka nevojë sot Shqipëria.

“Ne duhet t’i japim mundësinë Edi Ramës që të na e bëjë edhe rrugën e Stravaj por të na bëjë Shqipërinë si e gjithë Europa që ka 30 vite që lufton. Prandaj unë dua që kësaj radhe të bëhemi të gjithë bashkë, të bëhemi të gjithë bashkë për të çuar përpara këtë mision historik, për ta çuar përpara këtë nevojë që ka sot Shqipëria”, u shpreh Balla.

“Unë mendoj se ne i kemi të gjitha mundësitë. Kush mendon që Stravaj është një njësi e vogël administrative, çdo votë ka rëndësinë e vet. Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj radhe të bashkohemi si asnjëherë tjetër, t’i japim mundësinë Edi Ramës të bëjë për Stravajn atë që ka nis të bëjë për Shqipërinë,”- përfundoi Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.