Akuzat e PD-së/ Balla: Shpifsa të dëshpëruar, PS ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite nga komunikimi me njerëzit

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së Enkelejd Alibeajt se Partia Socialiste ka përdorur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë.

Në reagimin e tij Balla deklaron se Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit.

Sipas Ballës, kjo punë bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja.

“O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja”, shprehet Balla në reagimin e tij.

Enkelejd Alibeaj në deklaratën e tij thekson se përdorimi i të dhënave personale të portalit e-Albania nga Edi Rama dhe PS është shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve.

“Përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK. Ky skandal i paprecendentë cenon rëndë privatësinë e çdo qytetari, që për të marrë shërbime nga shteti përdor portalin e-Albania. Përdorimi i të dhënave personale, numrit të kartës së identitetit, telefonit apo të dhënave të tjera personale nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS është i dënueshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve, PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje”,- tha Alibeaj.

 

 

 

 

 

 

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.