AKSHI reagon ndaj akuzave të PD: Të pabaza, nuk ruajmë të dhëna e as nuk i përpunojmë

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Pas akuzave të PD ka reaguar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ku thekson se, suksesi i e-Albania me digjitalizimin e shërbimeve publike njihet dhe vlerësohet nga e gjithë bota përmes institucioneve ndërkombëtare si OKB, OECD, BE dhe DASH.

“Sulmet e Partisë Demokratike ndaj platformës e-Albania, e cila siguron shërbimet publike online për qytetarët janë të pabaza. Ne e kuptojmë se PD është në fushatë por kjo nuk justifikon sulmin politik ndaj një institucioni që është kryekëput në shërbim të qytetarëve.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale”, thuhet në reagimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

“e-Albania në asnjë moment nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetarëve. Kjo është e treguar qartë edhe në ndërfaqen e portalit. Të dhënat mbahen dhe administrohen nga bazat e të dhënave respektive në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore të institucioneve administruese të tyre sipas aktit të krijimit”, vijon reagimi.

“e-Albania është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit.
e-Albania shmang ngritjen paralele të faqeve të çdo institucioni me qëllim ofrimin e shpërndarë të shërbimeve elektronike duke e bërë më të thjeshtë për qytetarin dhe biznesin duke lehtësuar kërkesën per shërbim dhe marrjen e shërbimit. AKSH mirëpret në çdo kohë qoftë përfaqësues të partisë që sulmon pa asnjë bazë institucionin dhe qoftë përfaqësues të portaleve që e mbështesin këtë sulm, për të ballafaquar pretendimet e tyre”, përfundon reagimin AKSH.

Enkelejd Alibeaj në deklaratën e tij thekson se, “përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK”.

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.