Vijon operacioni “Kompleks”/ Goditen 2 baza të tjera të modifikimit dhe shitjes së armëve

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e sektorit operacional dhe Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, nën drejtimin e SPAK-ut, në vijim të operacionit policor të koduar “Kompleks”, kanë lokalizuar dhe goditur dhe 2 baza të tjera që shërbenin po për modifikimin, magazinimin dhe furnizimin me armë të grupeve kriminale në territorin e të gjithë vendit.

Në kuadër të operacionit të zhvilluar këtë mëngjes, gjatë kontrollit të maganizës së shtetasit Sokol Xhura, i cili është shpallur më herët në kërkim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në një ambient të përshtatur, një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak: 50 automatik, 1 pushkë të precizionit të lartë (Snajper), 1 snajper draganoz, 1 antitank, 19 kundërajrorë, mitroloz (2 të rëndë dhe 1 të lehtë), pajisje ushtrarake, 10 dybli që përdoren për pushkët dhe snajperat, dhjetëra mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, 24 predha antitank, 1 arkë me lëndë eksplozive tritol, 100 granata të ndryshme, 6 kilogramë lëndë ekspoloziv C4, 7 armë zjarri pistoletë të modeleve të ndryshme, 53 pushkë model 10 dhe pjesë për riparimin dhe modifikimin e armëve të zjarrit.
Më herët, më 1 prill, në kuadër të këtij operacioni u zbardhën tri ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura më parë, u vunë në pranga 9 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Po në kuadër të operacionit të zhvilluar më datë 1 prill, Policia zbuloi 18 baza, gjeti dhe sekuestroi arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh  luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.
Policia e Tiranës është e vendosur për të krijuar një ambient sa më të sigurt duke parandaluar dhe goditur ashpër të gjithë personat që tentojnë të ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e krimeve kundër personit, në fushën e narkotikëve apo trafiqeve të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të vijojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me strukturat e Policisë së Shtetit, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.