Vaksinimi masiv do lehtësojë sezonin turistik/ Brenda dekadës, Shqipëria kampione e turizmit në Ballkan

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se “ne në këtë dekadë, do të bëjmë Shqipërinë kampione të ballkanit në turizëm në agroturizëm, energji e eksporte bujqësore”.

Gjatë këndit të fjalës në Vlorë, Rama theksoi se “faktikisht ne jemi në luftë dhe e gjithë bota është në luftë”.

“Jemi në një luftë me dy forcat shumë goditëse që na kanë lënë pasojat e tërmetit dhe duhet t’i fshijmë një orë e më parë dhe t’i kthejmë të gjitha familjet në shtëpi dhe t’i rindërtojmë të gjitha apartamentet e lagjet e banimit se shtëpitë janë drejt përfundimit”, tha ai.

“Jemi në luftë me këtë armik të padukshëm që duam ta shporrim një orë e më parë nga ky vend, për ta bërë sezonin turistik tani një sezon shumë më të lehtësuar se ai që kishim dhe për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që kanë bërë gjithë këto investime, që të marrin frymë më thellë, përmes vaksinimit masiv”, theksoi Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që thonë se vaksinimi masiv do të ndodhte. “Si do të ndodhte, e pse nuk ndodh në Maqedoninë e Veriut, pse nuk ndodh në Kosovë e Mal të Zi, apo Bosnjë”, u shpreh Rama.

“Asgjëje nuk i vjen koha. E kemi për detyrë? Po për detyrë e kemi po për detyrë e kanë pasur edhe të tjerë përpara nesh. Nuk ka një arsye tjetër për të zgjedhur qeverinë, veçse për të bërë detyrën. Nuk e keni bërë me lekët tuaja?. Po patjetër, çdo  qeveri në botë, që në kohën kur është krijuar shteti, ka për detyrë të administrojë të ardhurat që mbledh nga kontributi i njerëzve dhe të bëjë detyrën”- tha ai.

Rama theksoi se, “ne jemi këtu për t’i fituar këto sfida, për të fituar atë luftë ashtu si nuk e mendonte askush”.

“Kur na ra tërmeti dhe të nesëmen u gdhimë me dhjetra e dhjetra familje rrugëve, që ne do të ringriheshim kaq shpejt nuk e mendonte askush, që Shqipëria mund të ishte tani në këtë moment, në këtë fazë në fashën e parë të klasifikimit në Europë për vaksinimin nuk e mendonte askush. Ashtu siç nuk e mendonin shumë, ne në këtë dekadë do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm në agroturizëm dhe në energji, eksporte bujqësore”.

Kryeministri deklaroi se, “në Vlorë kemi lidhur marrëveshjen me qeverinë amerikane dhe një nga kompanitë më të mëdha  të botës do të vijnë ta transformojnë TEC e Vlorës, në një asset të gazit të lëngshëm”.

Sigurisht vijoi ai, ne do të donim ta bënim më përpara por nuk bëhen gjërat sa hap e mbyll sytë. “Për më tepër kur ke një trashëgimi aq të rëndë sa ajo që ne patëm”, tha Rama.

“Sa herë vij këtu në Vlorë pyes sesa të tjerë kanë ardhur nga Amerika të blejnë shtëpi? 12 mijë familje amerikanë që blejnë shtëpi në Vlorë? Kush e mendonte se do të vinte ndonjëherë ndonjë i huaj e të blinte shtëpi në Vlorë deri para disa vitesh kur Vlora të vetmen rrugë kalimi kishte atë trotuarin 70 pond te Lungomare. Kush ndalonte më parë në Vlorë tek ato shtëpi te Lungomare, mezi shiheshin”, tha Rama.

“Vlora u bë një nga vendet me stokun më të lartë të apartamenteve që nuk shiteshin. Sot nuk blen dot shtëpi në Vlorë”- tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.