Trafiku ajror vijon normalisht në aeroport/ Balluku: Të gjithë kontrollorët janë rikthyer, greva me prapavijë politike

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se trafiku ajror në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijon normalisht.

Gjatë një interviste televizive, lidhur me stuatën e bllokimit të fluturimeve në këtë aeroport, Balluku shpjegoi se “duke nisur nga dita e enjte në orën 21, kanë rinisur të gjitha operacionet në Albcontrol, janë në normalitet të plotë. Janë rikthyer kontrollorët e trafikut ajror në punë, në detyrë dhe deri tani nuk ka patur asnjë problem”.

“Të gjithë kontrollorët janë rikthyer përveç atyre që tashmë iu duhet të përballen me ligjin, por edhe atyre që përgjatë kohës së grevës nuk ishin në punë për arsye shëndetësore, dikush me kovid, dikush për sëmundje të tjera. Kjo ishte edhe arsyeja pse u zgjodh koha besoj. Pra ishin më pak kontrollorë të disponueshëm, më pak se zakonisht, kështu që edhe numri i atyre që bënë grevë, ishte më pak se 48, u shpreh Balluku.

“Për gjithçka ka ndodhur ne po e shikojmë, drejtësia po vazhdon punën e saj dhe besoj se është një analizë e madhe për t’u bërë edhe nga vetë Albcontrol edhe nga vetë ministria si edhe nga të gjitha institucionet e tjera të përfshira”- deklaroi Balluku.

Ministrja theksoi se, “greva e kontrollorëve ka qenë e udhëhequr nga një grup i cili i ka patur të gjitha qëllimet jo vetëm joetike, por i ka patur dhe jo të mira. Kemi pasur  komunikimin publik me ta. Edhe nga kryeministri edhe nga unë u është bërë thirrje që duhet të ktheheshin në pozicionin e punës se përndryshe nuk do të vazhdonte më marrëdhënia e punës me ta. Kështu që janë kthyer të gjithë. Kanë deklaruar se tashmë janë të aftë për të operuar, e kanë dërguar me shkrim. Pra kontrollorët e trafikut ajror janë pa kushte të kthyer dhe sot po punojnë”.

Ajo theksoi se në pretendimet financiare të kontrollorëve nuk ka lidhje shteti, pasi sipas saj, AlbControl është i pavarur në vendimmarrje. “Ti përpunon 10 avionë dhe merr para për 10 avionë. Ti përpunon 200 avionë dhe merr para për 200 avionë. Nga do vijnë këto para? Problematika e uljeve të pagave këtë periudhë pandemie po ndodh në shumë aeroporte të botës, por nuk mund të bllokohet trafiku ajror i një vendi”- tha Balluku.

Sipas saj, në shqyrtim të kërkesës së kontrollorëve ajrorë për pagat, tre ishin skenarët që ishin parashtruar si opsione.

Skenari i mesëm ishte më i mirë pasi me rritjen e fluturimeve gjatë verës, atëhere pagat rriteshin me nga 20% në qershor dhe shtator.

Sipas saj edhe me skenarin negativ, pagat do rriteshin gjithsesi. Pas 7 ditësh, Balluku thotë se kontrollorët ‘shpërthyen’ direkt dhe kërkuan ose pagat që kishin ose bllokim të hapësirës ajrore.

“Greva e kontrollorëve ishte një situatë e paprecedentë, me prapaskenë politike. Ashtu sikurse shumë prej kontrollorëve nuk kanë lidhje fare me këtë situatë dhe janë rikthyer në punë”- tha Balluku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.