Rruga e Lumit të Vlorës dhe Gusmar-Kuç/ Labëria e Sipërme nga zona më e izoluar e vendit në udhëkryq të turizmit

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Rruga e Lumit të Vlorës dhe ajo Gusmar-Kuç do të kthejë Labërinë e Sipërme nga zona më e izoluar e vendit në udhëkryq të turizmit.

Kështu u shpreh sot në një takim elektoral në Vlorë, kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “po bëjmë rrugën e Lumit të Vlorës dhe sot po ashtu nisëm rrugën Peshkëpi- Selenicë”.

“Shumë shpejt rruga e lumit të Vlorës do të jetë në një pjesë të madhe të saj e përfunduar, por nuk është një rrugë që ishte aty por pritej prej 100 vjetësh. E kanë premtuar të tërë, edhe Enver Hoxha para së të vinin këta të tjerët, dhe nuk e kanë bërë”, tha Rama.

Rama tha se sot rruga është fakt dhe jo vetëm kaq, por bashkë me rrugën e Lumit të Vlorës po shkon drejt përfundimit Gusmar-Kuç dhe kjo bën që Labëria e sipërme që është vendi më i izoluar i Shqipërisë të kthehet në një udhëkryq të turizmit”, tha Rama.

Kjo zonë e Shqipërisë, vijoi ai, “është në vizionin tonë, pol për një transformim të madh jo vetëm të turizmit, por edhe të ekonomisë të vendit”.

Sipas tij, “jo vetëm që nuk do jetë më e izoluar, por ata të bregdetit do ngjiten në Labëri për 40 minuta në një rrugë panoramike fantastike”.

“Ata në Tepelenë e Gjirokastër do ngjiten në Labëri për të shkuar poshtë. Me këto dy akse që bashkohen sot, atje është hapur një perspektivë për t’u ngritur peshë gjithë ekonomia  brenda territorit, jo thjesht në bregdet dhe për t’u shfrytëzuar gjithë prodhimi aty që është prodhimi më i dëshiruar për tregun poshtë”, tha Rama.

Ai tha se “nëse agroturizmi është një motor i ri që e kemi vënë ne në punë dhe do të fuqizohet me kuaj fuqi në vijim, ajo është një zonë e lindur për agroturizëm që do të kenë turizëm gjatë gjithë vitit”.

“Sot që flasim, ende pa mbaruar akoma puna, vlera e pronës atje është 20-fishuar. Se këta diskutojnë për Rilindjen Urbane si zbukurim, por Rilindja Urbane është ekonomi, transformim social ashtu si ka ndodhur në Vlorë, një transformim ekonomik e social që vetëm do vazhdojë”, shtoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.