Rama me operatorët turistikë në Vlorë: Lidhja me malet e Labërisë, mbështetje fantastike për turizmin


TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë, një takim me disa nga operatorët turistikë që me përkushtimin e tyre i kanë dhënë nur dhe zhvillim bregut të Jonit.

Rama tha se “në Vlorë aktualisht janë 10-12 familje doktorësh amerikanë që duan të kenë në Vlorë apartamentin e tyre për pushime edhe për të pleqëruar kur t’u vijë dita”.

“Kush e imagjinonte këtë kur e drejtonit ju Shqipërinë”, iu drejtua Rama një operatori turistik me bindje të djathta.

Rama tha se “tani janë hapur trasetë e rrugës Gusmar-Kuç dhe traseja e rrugës së Lumit të Vlorës”.

“Faktikisht tani kur të mbaroj rruga do të jetë më shpejt të shkosh në Qeparo e Borsh se të shkosh në Palasë. Por më e rëndësishme është se gjithë kjo hapje në zonën e brendshme të bregut të lumit dhe lart në malet e Labërisë do të krijojë një mbështetje fantastike për ju dhe ju do të jeni mbështetje fantastike për ta”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “do të vijnë turistët aty poshtë ku je ti dhe në atë rrugë 40 minuta për në Tepelenë do të thotnë po ngjitemi të shikojmë Gjirokastrën e Tepelenën”.

“Ose do thonë lahemi poshtë dhe rrimë në mal lart gjatë pasdites. Plus agroturizmi që do fillojë pa diskutim, plus prodhimet e zonës. Gjithë produktet e brendshme, aty ishte tmerr i madh për ti marrë kurse tani do jetë ndryshe. Fatmir, ne po punojmë edhe për ju demokratët”, tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.