Rama “firmos” Memorandumin e Kuvendit Zakonor të Kuçit/ PS merr 79 mandate


TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Kuç, ku ndër të tjera bëri një bisedë me banorët edhe mbi ndarjen e mandateve në zgjedhjet e 25 prillit.

Rama bëri një parashikim të ndarjes së mandateve sipas qarqeve, të cilën e konsideroi Memorandumi i Kuvendit Zakonor të Kuçit.

Ai tha se “në Kukës PS merr 1 mandat, në Dibër 3, në Shkodër 4, në Lezhë 3, në Durrës 8, në Tiranë 19, në Elbasan 8, në Korçë 6, në Berat 5, në Fier 10, në Vlorë 9 dhe në Gjirokastër 3”.

“Në total janë 79. Unë ju thashë 74 -78, pasi në Kukës, në Dibër, në Shkodër dhe në Lezhë ata kanë mundësi të bëjnë ndonjë gol. Në gjithë zonën poshtë penalltitë i gjuajmë ne. Ndonjë penallti bie në shtyllë dhe rezultati final është mes 74-78 deputetë për Partinë Socialiste. Votat tek numri 12. Pastaj po bëri ky (Gjiknuri) ndonjë tërmet të madh shkojmë në 80”, tha Rama.

“Noterizuar nga noteri i tërmetit (Damian Gjiknuri). Kur të vijmë të inagurojmë sheshin e  Kuçit do ta lexojmë prapë”, shtoi ai.

Rama tha se “Ilir Meta ka thënë se do japë dorëheqjen, por sa gjëra ka thënë ai”. “Është me hënë, kur kthehet hëna mbarë kemi bërë dhe punë të mira, këtë herë hëna është kthyer mbrapsht e nuk po kthehet më mbarë. U zgjat shumë e harroi hëna të kthehet”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.