Punimet tek sheshi “Shqiponja”/ Balluku: Për 6 muaj u ndërtuan dy tunele, në përfundim i treti

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se “brenda një periudhe 6-mujore në sheshin “Shqiponja” në Tiranë janë ndërtuar dy tunele dhe është në përfundim tuneli i tretë. Sipas saj, po hapen edhe dy të tjerë, pasi janë 5 tunele në këtë nyje dhe punimet po ecin shumë shpejt.

Gjatë një interviste televizive, Balluku theksoi se punimet në tre lotet e sheshit “Shqiponja”, kanë nisur vetëm pak muaj më parë dhe kjo sepse ka qenë një luftë e fortë politike që u zhvillua pikërisht në “Unazën e Re”, për të ndaluar këtë projekt, që solli edhe bllokimin e Tiranës me një trafik të tmerrshëm për vite me radhë.

“Tashmë, tha ajo, të gjithë banorët e zonës janë kompensuar. Janë kompensuar edhe më mirë seç i kanë pasur shtëpitë dhe kantieri në sheshin “Shqiponja” në këto 6 muaj ka ecur me ritme shumë të mira.

Ajo theksoi se, që prej së hënës së kaluar, kur u hapën dy tunelet, 3 dhe 4 , nuk ka më pritje dhe radhë te “Casa Italia” dhe me hapjen e tunelit të tretë gjatë verës do të jetë akoma më i lehtësuar trafiku.

“Punimet në kantierin e sheshit “Shqiponja” përfundojnë në fund të këtij viti dhe e gjithë ajo zonë të jetë e rikualifikuar dhe banorët kanë arritur të kuptojnë se edhe vlera e pasurisë së tyre të patundshme është rritur konsiderueshëm”- deklaroi Balluku. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.