Porti i ri turistik në Vlorë do të gjenerojë një tjetër nivel ekonomie për gjithë zonën

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Vlora se “tek Triporti do ta ndërtojmë edhe portin e peshkimit, portin e mallrave dhe pikën e mbërritjes së pasagjerëve, ndërsa portin aktual do ta kthejmë në një port turistik që do të gjenerojë një tjetër nivel ekonomie për gjithë zonën”.

Gjatë fjalës së tij në këndin e fjalës me qytetarë të Vlorës, kryeministri Rama tha se “porti i ri turistik do të sjellë këtu turistët me shumë lekë, që do të shpenzojnë këtu dhe do të bëjnë të ngrihet komplet niveli i çmimeve për të huajt që do të vijnë këtu për turizëm”.

“Duke u ngritur niveli i çmimeve për të huajt që do të vijnë këtu për turizëm do të ngrihet vetvetiu niveli i pagave. Si ngrihen? Ato ngrihen duke zgjatur dhe forcuar zinxhirin e vlerës”, – tha Rama.

“Opozita pikën e dytë të programit ka anulimin e projektit të portit të ri turistik të Vlorës. Ata tërë jetën sa herë kanë marrë një gjë në dorë u pëlqen kur kanë mundësi të prishin, të shkatërrojnë, të bllokojnë, të pengojnë, po u the hajde ndërto, nuk dinë të ndërtojnë”.

“Edhe një vepër të vetme që mund të konsiderohet vepër, Rrugën e Kombit e bënë rrapa-zhgrapa. Ka kohë Vlora të kthehet në këtë farë feje, e të merret me Leskon e me akuzat absurde të Leskos që vjen nga tradita e një bande të paparë në shtet ndonjëherë siç ishte KLSH e Leskos, një bandë e politizuar llogaritarësh që rrinin me metra në xhep për t’iu matur kokën gjithë dynjasë për raportin që shkruanin dhe tani na ka dalë që medemek kanë çuar në SPAK edhe portin e ri tregtar, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “peshkatarët e shkretë që e gdhinë në det do presin të zgjohet Luli nga gjumi që të kapin sardele”.

“Porti i peshkimit të Vlorës është një turp i vërtetë, po do thoni ju përse nuk u bë, po nuk u bë sepse nuk mund të bëhen dot në kaq kohë ato që s’janë bërë për 100 vjet”, theksoi Rama. /k.s/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.