Nga rikonstruksioni i Bulevardit, në zonën historike dhe rrugën e Lumit të Vlorës/Kryesuesja e listës së PS, Resulaj: Në mandatin e tretë vazhdojmë me projektet madhore

TIRANË, 10 prill/ATSH/- “Mandati i tretë është një kërkesë që vjen natyrshëm nga ne socialistët”,  është shprehur Pranvera Resulaj e para në listën e kandidatëve të PS në Qarkun e Vlorës.

Gjatë një takimi, Resulaj është ndalur në investimet e mëdha që e kanë kthyer Vlorën në një potencial të fuqishëm turistik.

“Është një rast i veçantë që mandati i tretë të vijë në mënyrë të natyrshme dhe në mënyrë të vullnetshme. Nga transformimi në një shtet ligjor te projektet madhore që sot kemi për të ndërtuar porte dhe aeroporte. Ne kemi një infrastrukturë rrugore të jashtëzakonshme që e ka bërë Vlorën potencial turistik. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për Lungomaren. Vazhdojmë me rikonstruksionin e Bulevardit, me zonën historike, me rrugën e Lumit të Vlorës, me rilindjen urbane në çdo qytet. Ndërkohë në krahun tjetër kemi vetëm kundërshtime sepse nuk kanë çfarë të thonë. Nuk dinë se çfarë të mbrojnë. Kanë qenë në pushtet dhe nuk kanë bërë asgjë për Vlorën”, u shpreh Resulaj.

“Do të takohemi përsëri bashkë dhe pas 25 prillit do të nisim rrugëtimin për të vijuar projekte të tjera në të mirë të jetës së komunitetit”, tha ajo.

Banorët e pranishëm i kanë garantuar kandidates Pranvera Resulaj mbështetjen  dhe votën në 25 prill  për Partinë socialiste dhe Edi Ramën.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.