“Meta kandidat zyrtar i LSI-së në Vlorë”/ Bën fushatë skutave me subjekte të OFL-së dhe gjykatës e prokurorë të përjashtuar nga Vetingu

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Iliri Meta tani është kandidat zyrtar i partisë së tij në Vlorë dhe po bën një fushatë atipike skutave me subjekte të OFL-së dhe i shoqëruar me gjykatës dhe prokurorë që janë nxjerrë jashtë nga procesi i vetingut dhe ëndërrojnë revanshin përmes Saliut dhe Ilirit”.

Në një prononcim për medie nga Vlora, Rama theksoi se “qëllimin kryesor të revanshit ata kanë pikërisht rimarrjen në duar të drejtësisë dhe rizhytjen e drejtësisë në llumin e të shkuarës”.

“Meta shpërndan dekorata nuk diskutohet. Tani lajmi i fundit është se do të dekorojë edhe flokëtore në Vlorë. Këto dekorata janë thjesht teneqe të shpërndara për arsye të kota, Por përveç shpërndarjes së teneqeve, Presidenti ofron dhe indulgjenca si përshembull nxjerrjen nga burgu të vëllait të X apo të kunatit të. Një tërësi gjërash që besoj do të jenë të mjaftueshme për vlonjatët për t’ja dhënë dërrmën këtyre forcave krejtësisht të kundërta me historinë që po bëjmë së bashku dhe që në 25 prill të vazhdojmë punën”, tha Rama.

Lidhur me vaksinimin, Rama theksoi rëndësinë e sensibilizimit maksimal të njerëzve por njëkohësisht edhe informimin e përditshëm të tyre lidhur me ecurinë e këtij procesi jetik.

“Me shumë keqardhje duhet ta rikujtoj që patëm një frenim të vogël në ekzekutimin e planit tonë. Solli një ulje të ritmit për këto dy ditë si rezultat i bllokimit absurd dhe i goditjes së çmendur që ju dha aeroportit të Rinasit me idenë diabolike të bllokimit të vaksinimit për javë dhe njëkohësisht nxitjes së dëshpërimit dhe rrëmujave siç është në natyrën dhe qasjen e nxitësve të organizatorëve të asaj goditje”, tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se “ishin llogari të bëra pa hanxhin dhe ne ishim ndërkohë të përgatitur për të vënë menjëherë në veprim planin rezervë, falë të cilit ne arritëm që t’i sjellim vaksinat në kohë rekord, duke pasur parasysh bllokimin, edhe pse na u krijua një ngërç shumë i madh me kompaninë që donte t’i spostonte në një shtet tjetër, çka ne do të na humbte praktikisht një javë”.

Sidoqoftë, Rama tha se “sot vazhdojmë dhe plani për gjysmë milionë vaksinime mbetet siç ishte”.

“Padyshim, nga ana tjetër duhet të vazhdojmë përpjekjet dhe po e bëjmë për të garantuar rezervat për vazhdimin, sepse vërtetë ne kemi një numër të konsiderueshëm dozash të kontraktuara, por skeduli i lëvrimit të tyre nuk na lejon për momentin që të kemi intensitet siç kemi në këtë fazë kur të vijë puna në disa muaj më pas”, tha Rama.

Megjithatë, Rama tha se “ajo që ka rëndësi është që me këtë program ne po godasim përditë hallka të zinxhirit të infektimit dhe po sigurojmë që sezoni turistik në prag të jetë shumë i lehtësuar”.

“Do të fillojmë së shpejti me vaksinimin e gjithë stafeve të industrisë hoteliere, gjë që do të jetë një tjetër argument shumë i fortë i operatorëve shqiptarë për të sjellë turistë të huaj dhe me forcat e punës në gjithë sistemin e fabrikave me material porositësi”.

“Lajmi i mirë është se fasha ulet në mbi 60 vjeç ditën e hënë. Forca edhe të bëjmë maksimumin të gjithë së bashku duke mos harruar asnjëherë se procesi i vaksinimit ka nevojë njëkohësisht për distancimin, sepse nëse vaksinojmë dhe nuk jemi akoma në numrat kritikë të imunizimit, atëhere çdo shkelje e rregullave të distancimit sjell ngadalësim dhe sjell rritje të infektimeve”, tha Rama.

Për fat të keq, vijoi ai, “kemi një energji infektuese që prodhohet çdo ditë me dasmat e rrugëve të atyre që e kanë vënë interesin e partisë dhe interesin e pushtetit, ose më saktë e planit për pushtetin, mbi interesin e njerëzve, por edhe kjo do të mbarojë shpejt”.

“Ne lutemi që kostoja të mos jetë e papërballueshme sepse pa diskutim këto që po ndodhin çdo ditë me ato turmat e shekullit të kaluar që mblidhen me bori, flamuj e dy gishta, ngjitur me njëri-tjetrin do të sjelli një rritje të numrit të infektimeve dhe kjo është e pashmangshme siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Urojmë të mos jetë një rritje dramatike”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.