Meta: Do jem në Vlorë nga sot deri më 26 prill, asnjë votë nuk do preket

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “nuk ka shans që vota e një vlonjati të preket”.

Në një prononcim për mediet nga Vlora, Meta tha se “në çdo moment janë të ftuar të jenë këtu me mua për të bërë gjithçka transparente”.

“Nuk ka shans që vota e një vlonjati të preket. Kaq i them sot Edi Ramës, atij tërmetit dhe qametit se kujton se do të blejë Vlorën dhe vlonjatët. Vlora do të votojë për vajzat e saj, zonjat e saj, të gjithë ata që nuk lejojnë që Vlora të zëvendësojë të rinjtë dhe rejat e saj me bangladeshas”, tha Meta.

Kreu i shtetit tha se nuk mund të ketë në Vlorë skenar të tillë si në Dibër e Shijak, duke iu referuar shitblerjes së votës.

“Unë në Vlorë do të jem nga sot në 26 prill, ditën dhe natën për të mbrojtur zgjedhjet e lira. Por se kujton Edi Rama, kujton ky tërmeti se në Vlorë mund të bëjnë ato histori që kanë bërë në Dibër dhe Shijak, pastaj Zoti i ruajtë se ju e dini se Vlora ja bën fora. Dora e Vlorës do të jetë e pamëshirshme ndaj armiqve të Shqipërisë”, shtoi Presidenti./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.