Meta: 25 prilli beteja finale, do bëj gjithçka për zgjedhje të lira e të ndershme

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “do të bëjë gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi kjo është betejë finale”.

Në një prononcim për medie nga Fieri, Meta tha se “dje kam pasur një darkë informale me gazetarët e Vlorës, pa përjashtuar asnjë dhe në darkë ishin të ftuar edhe Bujar Leksaj dhe Damian Gjiknuri”.

“Damianin e kam ftuar vetë pasi shpesh ai ka qenë i detyruar nga kryeministri për të shpifur ndaj takimeve në mia. Darka fokusin e kishte te transparenca e procesit zgjedhor dhe që të mos provokohet me shakara pa kripë që janë rrugaçëri. Të jetë i qetë edhe kryeministri. Deri në 26 Prill do jemi në Vlorë. Do jem ditën dhe natën. Janë të ftuar të rrinë me mua por çdo skenar i tyre do të jetë i papranueshëm. Të kuptojnë që në Vlorë nuk bëhet shaka”, tha Meta.

Unë e kuptoj, vijoi ai, “pse e ka shqetësimin te Ilir Meta se Ilir Meta bën gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

“Së dyti ai bën gjithçka për të shantazhuar provokuar dhe korruptuar opozitën. Diga kryesore për të mos përmbytur demokracinë ka qenë Ilir Meta. Kjo është betejë finale, nuk është si betejat e mëparshme, por është betejë për 100 vitet që vijnë e s’është betejë mes Metës e Ramës”, tha Meta.

Ai theksoi se “Rama po përdoret nga armiqtë e Shqipërisë për të nxjerrë në shitje gjithçka nuk është shitur nga pasuritë e Shqipërisë e t’i zëvendësoje vlonjatët me bangladeshas”.

Lidhur me akuzat e Ramës për përfshirje në ngjarjen në AlbControl, Meta tha se “së pari ka pasur vaksina plot në pritje, kjo është shpifje dhe sajese”. “Ai nuk ka këtë shqetësim. AlbControll ka pasur 10 muaj që ka bërë kërkesë. Ai edhe lajmet gjoja për marrjen e ushtrisë e bëri për të treguar se mund të bëjë çdo gjë. Në zgjedhjet e vitit 2017 Ilir Meta nuk ishte president. Tani Ilir Meta është president. Kur sulmohet rendi kushtetues sulmohet Republika dhe Presidenti është ushtari i parë i Republikës. Mos të provokojë Vlorën”, tha Meta.

Ai tha se “Presidenca do të jetë kudo, edhe në terren, por në radhë të parë do të jetë në Vlorë, sepse është qendër e të gjithë shqiptarëve dhe meriton të japë shembullin e standardeve të zgjedhjeve”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.