Mandati i tretë i PS i jep Vlorës aeroport, port turistik dhe tunelin e Llogorasë

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur nga Vlora se “sot ka mbaruar gara për aeroportin e Vlorës, jemi në fazën ligjore të negociimit dhe nënshkrimit të kontratës dhe do të fillojë puna në aeroport”.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “aeroporti ka qenë një sfidë shumë e madhe  sigurisht do kisha dashur të kishte filluar më herët, por jo të gjitha gjërat ndodhin siç i planifikon sepse ti je duke menduar për aeroport, ke hapur garën për të bërë aeroportin dhe të vjen një virus brenda dhe bllokon gjithë hapësirën aeroportuale të botës. Tërhiqen të gjitha kompanitë nga gara se kaluan nga plani i investimit në planin e mbijetesës”.

“Mandati i tretë do t’i japë Vlorës portin e  ri turistik që fillon pasi kanë mbaruar procedurat, dihet kush janë investitorët, dihet kush është projekti, një port të ri tregtar, do t’i japë peshkatarëve një port të ri brenda portit tregtar, do t’i japë pasagjerëve një mundësi te re pasi me një port tjetër jo me këtë molin do të ketë më shumë fluks”, – tha Rama.

Më tej Rama tha se mandati i tretë do t’i japë Vlorës një aeroport.

“Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës për aeroportin e Vlorës do të hapim garën për aeroportin e Sarandës. Mandati i tretë do t’i japë Vlorës tunelin e Llogorasë, që është folur pa fund dhe tani është duke u bërë realitet. Por nuk është një vonesë e shkaktuar nga ne fakti që u rikthye gara nga e para sepse nuk ishin ofertat të rregullta sipas ligjit një për një”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.