“Kur i duhet të bëjnë një paudhësi vënë Lulin”/ Vlora nuk mund të bëhet pre e atyre që nuk kanë ndryshuar asgjë

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Vlora nuk mund të bëhet pre e atyre që janë të njëjtët dhe nuk kanë ndryshuar asgjë”.

Gjatë këndit të fjalës në Vlorë me banorë të këtij qyteti, Rama shtroi pyetjen se kush ka ndryshuar Vlorën.

“Luli është një kukull. Kur i duhet të bëjnë një paudhësi vënë Lulin. Pse kush e firmosi detin territorial në Greqi? Luli. Po se bëri Luli, e bëri Saliu. Po pse Rrugën e Kombit kush e bëri? Saliu, dhe firmosi Luli dhe kështu të tëra. Çfarë ndryshimi do të sjellin këta? Cilin ndryshim? Dikush që ishte 4 vite kryetar i Bashkisë Tiranë dhe nuk i punoi sahati që kishte mbi kokë. Këta janë vetëm për ta çuar orën mbrapsht. Epo ora mbrapsht nuk i kthehet Vlorës”, u shpreh kryeministri.

Rama deklaroi se kjo është rruga e PS-së. “Por sa më shumë ngjitesh, në majë, aq më shumë e vështirë bëhet dhe aq më shumë të vjen tundimi e të kthehesh mbrapsht. Po se edhe mua më vjen të them vazhdoni vetë. Po ku? Me kë? Kujt? Atyre? Kurrë, kurrë”- theksoi Rama.

“Ata që thonë paturpësisht sot që para 8 vitesh ndodhi një aksident, d.m.th para 8 vitesh populli u çmend dhe i hoqi ata nga puna dhe tani populli tani duhet të korrigjojë gabimin. Atyre asnjë shans nuk iu jepet më. Kurse Ilir Meta jo i ka pasur të gjitha shanset, po Iilir Meta i ka pasur të gjitha gjërat që ky vend mund t’i japë një individi dhe i ka marrë si askush tjetër. Eshtë i vetmi në historinë tonë dhe në historinë e gjithë Ballkanit po mbase edhe të gjithë botës që është bërë që 30 vjeç kryeministër, 40 vjeç kryetar Kuvendi, 50 vjeç president. Çfarë do Ilir Meta më tani? Asnjë shans. Madje ka thënë që po fitoi Edi Rama do të japë dorëheqjen. Ne e kemi për detyrë ta mundim pastaj ai, e mban nuk e mban fjalën se dimë, se mund të ketë qenë në efektin e rakisë së Leskos me ndonjë kofshë keci nga ato të KLSH-së dhe nuk mban përgjegjësi njeriu kur është i dehur. Po nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi ka që i ka marrë të gjitha. Çfarë do më Ilir Meta që vjen kandidat këtu tani? Për çfarë vjen kandidat presidenti?”-u shpreh Rama.

“Kështu që Vlora, vijoi ai, më 25 prill duhet të marrë një vendim. Unë jam kandidat edhe në Durrës po nëse njerëzit e nënës  nuk më duan më shumë se njerëzit e babës vazhdoni. Po unë Vlorën nuk e lë kurrë dhe sikur tërë dynjaja të çohet dhe të thotë këtu mbaroi, unë prapë në Vlorë do të vij”.

“Por po flas këtu për angazhim se jemi këtu në garë me durrsakët. Sipas jush i keni mundur gjithmonë por jeni në garë. Megjithatë mua më duhet vota te 12 për PS-në”- deklaroi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.